Drita paralajmëroi bojkot të garave, kjo është përgjigja e Agim Ademit

Drita paralajmëroi bojkot të garave, kjo është përgjigja e Agim Ademit

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i ka paralajmëruar klubet që duan të bojkotojnë garat se “ka një rregullore, që merret me atë çështje”.

Agim Ademi u rizgjodh kryetar i FFK-së edhe për një tjetër mandat katërvjeçar , duke marrë 42 vota nga 43 delegatë që ishin të pranishëm, pasi vetëm njëri abstenoi.

Sidoqoftë, jo të gjithë delegatët ishin të pranishëm, pasi plot 15 prej tyre e bojkotuan kuvendin zgjedhor dhe paralajmëruan bojkotimin e garave.

Drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi foli në emër të opozitës pasi u largua nga Kuvendi, duke paralajmëruar edhe bojkotimin e garave, pasi që Gramoz Vokrrit iu mohua kandidimi.

“Ne na është mohuar e drejta elementare e kandidimit të kandidatit tonë Gramoz Vokrri. FFK-ja ka treguar mendësi totalitare. “Ne jemi po ata delegatë që e kemi mbështetur Vokrrin dhe jemi këtu e nuk jemi në atë Kuvend. Do të jemi deri në fund në mbështetje të Gramozit dhe nuk e mbështesim një Kuvend të paligjshëm”, ishte deklarata e tij të mërkurën.

Në një intervistë për ‘ATV’, Ademi tha se ka rregullore që merret me këtë çështje, duke ‘paralajmëruar’ klubet se mund të merret ndonjë vendim jo i mirë.

“I kuptoj reagimet e tyre, por duhet ta dallojnë nëse kanë probleme me emrin Agim Ademi apo Federatën e Futbollit të Kosovës. FFK është institucion, e ka rregulloren, statusin dhe duhet ta përkrahësh dhe të vlerësosh të gjitha klubet njësoi. Kanë të drejtën e vetë secili, janë anëtarë të Federatës dhe duhet të jenë. Sa i përket kërkesave për bojkotim të garave, ka zgjidhje, janë rregulloret edhe për atë çështja, por nuk kisha dashtë. Më së shumti i bëjnë dëm klubit dhe futbollistëve të tyre sesa të tjerëve. Shpresoj që t’i bashkohen shumicës sepse futbolli na bashkon”.

Në zgjedhjet e mbajtura sot, munguan edhe gazetarët, të cilëve iu mohua hyrja në FFK për të parë Kuvendin Zgjedhor. I pyetur se cila ishte arsyeja që ndodhi kjo gjë, Ademi u mundua të ‘arsyetohet’ duke thënë se ndodh në çdo vend të botës.

“Ka ndodhur gjithkund, edhe në Shqipëri për shkak të mirëvajtjes se kuvendit. Unë shkojë të shumë media dhe i pranoj me ardh këtu, nuk kam pse të frikësohem nga ndonjë media. Ka qenë në Artmotion edhe live te FFK dhe kanë mundur ta marrin ose ta shohin kush do që ka dashur. Aty mund të shohin se kush ka qenë i pranishëm në Kuvend dhe gjithçka tjetër. Ndoshta ka dashtë secili medium me pas ekskluzivitetin, por në të gjithë vendet e botës shkon kështu”, deklaroi ai.

Related Articles