Drita rikthehet te fitoret, mposht minimalisht Llapin

Drita rikthehet te fitoret, mposht minimalisht Llapin

Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita është rikthyer te fitoret teksa ka mposhtur Llapin me rezultat minimal 1-0.

Drita e nisi më mirë ndeshjen duke qenë më e rrezikshme në ofensivë, derisa rast të mirë pati Egzon Bejtullai kur nga distanca goditi shtyllën.

Në minutën e 33-të vendasit fituan penallti, pasi Blerton Sheji u pengua në zonë nga Arbnor Ramadani.

I saktë nga pika e bardhë ishte Besnik Krasniqi që shënoi për 1-0.

Me epërsinë e vendasve 1-0 u mbyllën 45 minutat e para të kësaj sfide.

Në pjesën e dytë mysafirët ishin më të rrezikshëm, duke rrezikuar më shumë portën e Dritës.

Megjithatë Drita shënoi me Kristal Abazajn, por që goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Abazaj pati një tjetër rast të mirë ku doli vetëm me portierin Coric, por dështoi të shënonte nga një pozitë e mirë.

Në minutën e 78-të, Drita mbeti me një futbollist më pak në fushë, pasi Besnik Krasniqi u ndëshkua direkt me karton të kuq.

Llapi shtoi ofensivën në drejtim të portës së Dritës, teksa Gnapi e Hyseni patën raste të mira shënimi.

Deri në fund më gola nuk pati dhe Drita arkëtoi tre pikë të mëdha nga përballja me Llapin duke fituar 1-0.

Me këto tre pikë, Drita ngjitet në pozitën e tretë në tabelë me 20 pikë, gjashtë më pak se lideri Prishtina.

Ndeshjen e ardhshme Drita do ta zhvilloj sërish në shtëpi ku pret Prishtinën, derisa Llapi takohet me Prishtinën e Re.

Related Articles