Drita është rikthyer te fitoret në kampionat, pasi ka triumfuar me rezultat 2-1 ndaj Dukagjinit në Gjilan.
Rasti i parë në ndeshje ishte për mysafirët, por Berisha e Isufi nuk arritën të gjenin golin.
Megjithatë Drita reagoi shpejtë dhe në minutën e 12-të kaloi në epërsi. Mike Arthur me një asistim perfekt te Besnik Krasniqi i cili u gjend bukur afër golit dhe realizoi me kokë për 1-0.
Dukagjini u kundërpërgjigj në minutën e 34-të, me sulmuesin e talentuar Hekuran Berisha që realizoi gol të bukur për të barazuar shifrat në 1-1.
Me rezultatin baras 1-1 u mbyllen 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesa e dytë nisi më mirë për klinasit, të cilët krijuan dy raste të mira shënimi pas gabimeve në mbrojtjen e Dritës, megjithatë pa arritur ta dërgonin topin në rrjetë.
Inkuadrimi i Veton Tushës doli i qëlluar, pasi sulmuesi kaçanikas realizoi për 2-1 në minutën e 63-të me kokë pas harkimit nga Blerim Krasniqi.
Deri në fund më gola nuk pati dhe Drita ndali tre pikët në Gjilan.
Drita vazhdon luftën për titull dhe zë vendin edytë në tabelë me 45 pikë, sa ka edhe Ballkani si e para, derisa Dukagjini është e gjashta me 33 pikë.
Ndeshjen e ardhshme Drita e luan si mysafire e rivalit lokal Gjilanit, derisa Dukagjini pret Prishtinën e Re.
