Drita është ndalur në Pejë nga Besa, e cila ndodhet e fundit në tabelë, për ta komplikuar edhe më shumë ‘misionin’ drejt mbrojtjes së titullit të kampionit, shkruan Gazetasheshi.com.
Si për ironi të fatit, gjilanasit është dashur të djerësiten shumë për këtë barazim, pasi që pejanët ishin në epërsi me golin e Ardi Tahirit nga pjesa e parë e lojës. ‘Bardhekaltërit’ i shpëtoi në këtë përballje Betim Haxhimusa, i cili e realizoi golin e barazimit.
Hapin fals të Dritës e ka shfrytëzuar në maksimum Ballkani, pasi që falë fitores ndaj Llapit tashmë është shkëputur në dy pikë nga gjilanasit.
Blend Baftiu realizoi golin e vetëm për suharekasit, në një ndeshje që pati shumë tension dhe ndër të tjerash tre kartonë të kuq.
Fitore të rëndësishe në garën për titullin kampion ka shënuar edhe Prishtina, teksa e ka mposhtur në shtëpi Trepçën ’89 me rezultat 3-1.
Leotrim Kryeziu me dy gola dhe Endrit Krasniqi me një tjetër kontribuan në fitoren e kryeqytetasve, që tashmë i shpie në pozitën e dytë të klasifikimit, ndërkohë që Ardian Muja realizoi golin e nderit për ‘minatorët’.
Në duelin tjetër të ditës, Gjilani barazoi pa gola ndaj Drenicës.