Durkee: UÇK s’kishte strukturë solide të konsoliduar komande

Durkee: UÇK s’kishte strukturë solide të konsoliduar komande

Michael Durkee, ish-këshilltari i Wesley Clark, është duke dëshmuar në Hagë, raporton Gazeta Enigma.

Ai po rrëfen përvojën e tij në Kosovë.

“Perceptimi im, por edhe i UNMIK-ut dhe KFOR-it, ishte që refugjatët që po ktheheshin, të dëbuar nga forcat e Millosheviqit nga Kosova, në dimrin e egër ‘98-‘99, po ktheheshin në fshatrat e tyre dhe po shikonin se shtëpitë dhe pronat e tyre ishin shkatërruar, miqtë, shokët dhe fqinjët nuk ishin më aty. Kishte nivele të ndryshme të shkatërrimit të jetës së përditshme të jetës së shqiptarëve të Kosovës. Shumë prej tyre reaguan me dëshirën për hakmarrje e mëri, me inat”.

Ai tha se shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës, ndiheshin se ishin tradhtuar nga persona që ishin rritur bashkë me ta.

“Nëse shohim se çfarë ka ndodhur në pranverën ‘99, dhe veprimtaritë nuk kishin të bënin vetëm me kontrollin e qeverisë serbe, por edhe të grupeve paramilitare, të cilat ishin zhvilluar në popullsinë serbe në Kosovë. Dhe në shumë vende, këta banorë lokalë serbë jepnin informacion sa i takon se ku duhet të përqendroheshin forcat serbe. Kjo është dirigjuar kryesisht nga MPB-ja serbe”.

“Ndërkohë që shqiptarët e Kosovës po shihnin se po trajtoheshin në këtë mënyrë nga persona që jetonin në rrethana të ngjashme në ato fshatra e qyteza, besoj se është e kuptueshme se ata më pas kishin dëshirë për hakmarrje, sepse ndiheshin që ishin tradhtuar dhe viktimizuar nga persona që ishin rritur bashkë me ta”, deklaroi Michael Durkee, ish-këshilltari i Wesley Clark.

Ndër të tjera, ai foli edhe për Kanunin, si dhe për grupe kriminale që funksionin në Kosovë në periudhën e pasluftës.

“Duhet të bëhet dallimi dhe t’i referohemi traditës së Kanunit të shqiptarëve, idesë së nderit personal, rëndësisë dhe mbrojtjes së nderit personal. Kjo donte të thoshte se kur një anëtar i familjes ishte sulmuar nga një person nga i njëjti fshat e qytetzë, e gjithë familja ndiente përgjegjësinë për larje hesapesh”.

Tutje, ai tha se UÇK-ja nuk kishte një strukturë solide të konsoliduar komande, “që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra që më pas do të çonin në veprime apo operacione të caktuara në terren”.

“Komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderushme dhe ekzistonte vullneti i tyre për të vepruar me kokën e tyre kur e konsideronin të përshtatshme”.

“Pra, nuk kishte një zinxhir të konsoliduar komande në kuptimin e koordinimit të autoritetit të drejtpërdrejtë të komandës, siç e kuptojnë në ushtritë perëndimore”.

I pyetur nëse Hashim Thaçi mund të ndalonte dhunën në atë kohë, ai u përgjigj: “Nuk kishte Hashim Thaçi kompetencë dhe autoritet për të ndaluar dhunën në atë kohë”.

“Sepse në atë ditë, pas tërheqjes së forcave serbe, atë ditë UÇK ishte në mes të situatës ku duhet të realizonin sipërmarrjet dhe premtimet që i kishin dhënë KFOR-it, bashkë me gjeneralin Jackson. Ndërkohë që kishte ende ushtarë të UÇK-së në terren, struktura e komandimit në thelb po përpiqej që të gjente mënyrën për demilitarizimin. Ata po shikonin zotin Çeku, Thaçin dhe persona tjerë se çfarë mund të bënin ata brenda UÇK-së për të realizuar premtimet e dhëna”.

Related Articles