Zëvëndësministri i Infrastrukturës, Hysen Dumishi ka njoftuar se është në hartim projekti për zgjerimin e rrugës Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren.
Këtë njoftim ai e ka dhënë nga terreni ku ka qenë i pranishëm në fillimin e punimeve për rrugën Kijevë-Zahaq.
“Rruga Kijevë – Zahaq, po bëhet pa zvarritje dhe me cilësi në investime, planifikim e përgatitje gjithpërfshirëse, e me kursim të buxhetit nga 240 milionë euro sa ishte planfikuar në të kaluarën, sot do të kushtojë më pak se 90 milionë euro, pra po i kursejmë plot 150 milonë euro buxhetit të Kosovës.
I kemi përfunduar shpronësimet për segmentin deri në Dollc dhe dje kemi marrë vendim në Qeveri për shpronësimin e segmenti nga Dollci e deri në Zahaq si parapërgatitje që në fillim të muajit maj të fillojmë procedurën e prokurimit edhe për segmentin nga Dollci deri në Zahaq.
Rruga për Pejë ka filluar me ritëm të shpejtë e dinamikë të shtuar në ndërkohë që jemi në përfundim të hartimit të projektit kryesor edhe për zgjerimin e rrugës Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren.
Urime qytetarëve të Rajonit të Dukagjinit dhe gjithë Kosovës” shkruan Durmishi në njoftim.