Dy javë afat për Arben Vitinë para se t’i digjet mandati i asamblistit

Dy javë afat për Arben Vitinë para se t’i digjet mandati i asamblistit

Arben Vitia refuzoi pjesëmarrjen në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal në të cilën u betua kryetari i ri të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe asamblistët komunalë.

Vitia, i cili para rreth tre javësh humbi garën zgjedhore për kryetar të kryeqytetit, ka fituar një mandat në Asamblenë Komunale të Prishtinës.

Por, ai nuk ka vendosur ende nëse do të ushtrojë këtë funksion në katër vitet e ardhshme.

Kësisoj, kanë mbetur edhe dy javë afat për Vitinë të vendosë nëse do të betohet si asamblist apo do t’ia lirojë këtë funksion një kandidati tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist.

Sipas Ligjit për Qeverisjen Lokale, anëtarët e zgjedhur të Kuvendit Komunal duhet të betohet brenda një periudhe kohore prej një muaji prej certifikimit të rezultateve zgjedhore.

“Anëtarët e kuvendit të komunës, të cilët nuk e nënshkruajnë betimin ose mandatin në pajtim me paragrafët 3 dhe 4 të këtij neni brenda një muaji pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, pushojnë së qeni anëtarë”, thuhet në nenin 35, pika 5 e Ligjit për Qeverisjen Lokale.

Rezultatet e zgjedhjeve lokale për Komunën e Prishtinës janë certifikuar më 23 nëntor, 2021./Gazeta Enigma/

Related Articles