Në Klinikën Infektive të QKUK-së aktualisht po trajtohen tre raste me grip të derrave dhe dy të tjera me koronavirus.
Kjo u bë e ditur nga infektologu Arben Vishaj.
“Ne për momentin i kemi duke i trajtuar 3 pacientë me Influenza AH1N1, dhe 2 pacientë me COVID-19”, deklaroi ai.
Lidhur me ngjashmëritë e gripit sezonal që është përhapur së fundmi dhe koronavirusit, ai tha se për të pasur një përgjigje konkrete rreth kësaj duhet një diferencim diagnostik mjekësorë.
Vishaj tregoi më tutje se simptomat e gripit që ka prekur shumë qytetarë janë lodhja, plogështia, kollitja, temperatura, rrjedhje nga hundët, dhimbje gjymtyrësh dhe frymëzënie.
Ai rekomandoi që personat të cilët i kanë këto simptoma gripi të lajmërohen te mjeku familjar.
Vishaj gjithashtu potencoi se sistemi shëndetësor nuk është i ngarkuar në atë masë që i tejkalon kapacitetet e tij.
“Sistemi shëndetësor disponon kapacitete të mjaftueshme, dhe s’ka fluks që imponon për shqetësim”.