Të akuzuarit për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të hënën në shqyrtimin fillestar para Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për spiunazh.
Qerimi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Këtë vepër penale ai e pranoi dhe këtë pranim fajësie ia aprovoi gjyqtari Rrahman Beqiri. Tha se aktgjykimin për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve shtyhet deri në përmbylljen e tërësishme të shqyrtimit gjyqësor.
Gjyqtari Beqiqi po ashtu i udhëzoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se kanë të drejtë të paraqesin ankesë brenda 15 ditësh lidhur me aktakuzën dhe provat.
Më 5 qershor të 2024-s, Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe Policia i kishin arrestuar të pandehurit në Ferizaj.
Ata dyshohet se kanë bërë spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).
BIA serbe kishte reaguar, duke mohuar se të dyshuarit kanë pasur ndonjë lidhje me të.
Prokuroria pretendon se ka prova që Shabani ishte aktiv edhe ditën e sulmit terrorist në Banjskë, ku takoi një pjesëtar të policisë, të cilit i dha informata jorelevante dhe iu ankua se vazhdimisht po jep por nuk po merr informata nga policia.
Ai sipas aktakuzës ka pasur kontakt edhe me pjesëtarin e BIA-s dhe ish-shefin e policisë së Ferizajt, Bogolub Janiçeviq, i cili sipas prokurorisë ishte i përfshirë në masakrën e Reçakut.