Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet.
Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë, rapor.
Një rast i frikshëm ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme në rrugën Ferizaj – Prishtinë, saktësisht në Çagllavicë, ku dy persona dyshohet se nën kërcënimin e armës kanë kërkuar para nga dy persona tjerë.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur pasi viktimat ishin ndalur në rrugë pas një defekti në veturë dhe në atë moment përballë tyre është ndalur një veturë nga ku kishin dalë dy persona të armatosur.
Të dyshuarit pasi nuk kanë marrë atë që kërkonin, kanë lënë një gëzhojë në veturën e viktimave dhe janë larguar nga aty
Viktimat kanë kërkuar ndihmën e Policisë dhe kanë dhënë dëshmitë e tyre para hetuesve policorë.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’ dhe janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarve dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.