Zjarret mbi tunelin e Kalimashit mbrëmjen e së hënës morën përmasa të frikshme të ndihmuara nga era aq sa per pak situata do te dilte jashtë kontrolli.
Bashkëpunimi i Forcave të Armatosura Shqiptare me ato të Kosovës bënë që zjarri mbi tunel të vihej nën kontroll dhe të mos rrezikoheshin banesat dhe as bllokimi i tunelit.
Por, ndërsa situata dukej nën kontroll, të martën u rikthye sërish problematika në Mirditë, në hyrje të tunelit ku ndodhet fshati Thirrë. Dy vatra të mëdha zjarri janë aktivizuar sërish në malësinë e këtij fshati dhe po përparojnë me shpejtësi.
Drejtori i Zjarrfikësve të Mirditës, Agim Lleshaj shprehet se ndërhyrja në këto vatra bëhet e pamundur për shkak të terrenit.
Një banor i fshatit Thirrë u shpreh se ky është zjarri më i keq që ka parë në 80 vite jetë. Sipas tij fajtorë janë njerëzit.
Në Mirditë është aktivizuar edhe një tjetër vatër zjarri në fshatin Domgjon. Forcat e Armatosura Shqiptare po veprojnë së bashku me ato të Kosovës për ti vënë nën kontroll vatrat.