Invesimet e munguara kapitale janë rikthyer në Komunën e Gjilanit, e bashkë me to janë rikthyer edhe dyshimet për manipulime në tenderët për ndërtimin e rrugëve, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në thirrjen e fundit tenderuese nga Komuna e Gjilanit, me ç’rast është bërë shpallja për asfaltimin e katër rrugëve janë ngritur dyshime të mëdha për manipulime, pasi që janë ndryshuar kërkesat për kompanitë konkuruese.
Nga katër tenderë të cilët janë shpallur nga Komuna e Gjilanit, në dy prej tyre është futur një kriter i veçantë, si ai për ta patur makinë gjysmërimorkio speciale për vendosje të bankinave përreth rrugëve, kriter ky i futur për herë të parë në shpalljet e tenderëve këtë vit nga Komuna e Gjilanit, me ç’rast ngrit edhe dyshime për manipulime të mundshme.
Pas ankesave nga disa kompani konkuruese, në njërin nga tenderët e shpallur është larguar ky kriter, saktësisht për asfaltimin e rrugës në Lagjen “Livadhet e Arapit”.
Ndërkohë, për tenderin e shpallur për asfaltimin e Rrugës “Jonuz Tërstena 28 Nëntori” nuk është larguar ky kriterium, ani pse ka patur ankesa të bazuara nga kompanitë konkuruese.
Dyshimet tjera të mëdha janë se në tenderin e radhës të shpallur për asfaltimin e rrugëve në fshatin Gadish, nuk është kërkuar fare kjo makinë speciale, e cila sipas kompanive që merren me shtrimin e asfaltit nuk ndikon fare në cilësinë e asfaltit dhe nuk përbën asnjë pengesë për shtrimin e rrugëve.
Ky kriter i vendosur nga Zyra e Prokurorimit në Komunën e Gjilanit ka shtuar shumë pyetje edhe shumë dyshime, pasi që në njërin tender është larguar pas ankesave të kompanive konkuruese, në njërin ka mbetur në fuqi, ndërkohë në tenderin tjetër nuk është futur fare në dosje.
Për asfaltimin dhe rregullimin e kanalizimit dhe ndriçimit publik në rrugën “Nënë Tereza” po ashtu nuk është kërkuar fare ky kriterium, edhe pse tashmë kjo thirrje është pezulluar.
Nga kompanitë konkuruese ka lindur dyshimi se nga Zyrja e Prokurorimit janë futur këto kritere për t’i mundësuar marrjen e tenderëve kompanive të caktuara, pasi që kriteriumet e kërkuara nuk janë të njëjta për secilin nga tenderët.
Pasi që kjo paisje (Gjysmërimorkio) nuk është e nevojshme për cilësinë e asfaltit dhe nuk është kërkuar më parë, shihet vetëm si një pengesë për kompanitë të cilat tashmë kanë konkuruar.
Dyshimet ekzistojnë edhe për një lidhje të mundshme ndërmjet kompanisë fituese dhe Zyrës së Prokurorimit në lidhje me kriteret e vendosura në tenderim, të cilat janë vendosur për herë të parë në këto shpallje.
Shtrohet pyetja se a duhet të hetohet nga Prokuroria, Zyrja e Prokurorimit në Gjilan për vendosjen e këtyre kritereve për kompanitë që merren për asfaltimin e rrugëve, saktësisht ndryshimin e kriteriumeve për thirrje të tenderëve.
Redaksia e Gazetës “Enigma” do të fillojë edhe hulumtime më të detajishme në lidhje me dhënien e tenderëve dhe rregullat e ndryshuara nga Zyra e Prokurorimit në Komunën e Gjilanit.
/Gazeta Enigma/