Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të cilët dyshohen për keqpërdorim të mbi 104 mijë eurove në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me një tender për sistemin e kamerave.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.H., L.J. dhe Y.K., në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, më 22.12.2020, të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë (IT), në QKUK, në bashkëkryerje dhe në kundërshtim me Ligjin me Nr.04/L-042, për Prokurimin Publik, kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo tjetrin, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi dhe montimi i Sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, kontratë e nënshkruar në mes të QKUK dhe operatorit ekonomik “Artech”, tërë aktivitetin e kryer në dhjetor të vitit 2020, përfshirë pranimin e mallit, ekzekutimin e punimeve dhe pranimin teknik të punimeve, kanë nënshkruar një raport fiktiv e që ka qenë në kundërshtim me gjendjen faktike, kështu duke i shkaktuar dëm material në shumën prej 104,751.00 euro, QKUK-së
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë, po ashtu i njëjti ka propozuar që të pandehurve t’u shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, konform dispozitave të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka paguar 104,751 euro në shtator të vitit 2020 për furnizim me kamera për objektet brenda këtij institucioni, si dhe dhomën e monitorimit të tyre. Por në fakt ky projekt nuk u realizua kurrë pasi në depon e QKUK-së nuk gjenden fare pajisjet e blera.