Në mëngjesin e së premtes u raportua se një grabitje e armatosur ka ndodhur në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, brenda një institucioni mikrofinanciar, raporton Gazeta Enigma.
I dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes, teksa Policia ka thënë se po punon në drejtimin për ta identifikuar dhe arrestuar personin.
Sipas Sinjalit, grabitësi ka arritur të vjedhë rreth 15 mijë euro nga arka.
Sipas informacioneve, hajni ka qenë i maskuar dhe ka pasur armë të shkurtër, ndërsa punëtorja ka qenë e vetme në orar.
Lidhur me rastin, ishte deklaruar edhe Policia e Kosovës, duke dhënë detaje nga kjo grabitje.
“Sot rreth orës 08:30 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një institucion mikrofinanciar,në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se një personi i maskuar nën kërcënim të armës ka grabitur një shumë të parave.
Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, tha zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.