E hëna do të jetë ditë pushimi për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka marr vendim që për shkak të Ditës së Flamurit të hënën të jetë ditë pushimi, ndonëse nuk ndodhet në listën e festave zyrtare në Kosovë.
Përmes një letre, Kurti i ka kërkuar Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçlës që të njoftojë nëpunësit e administratës publike, që për nder të kësaj feste, 29 Nëntori do të jetë ditë pushimi.
“Ju lutem vini re që nisur nga dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-064 për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës, kërkoj nga ju që, në koordinim me Komisionin Republikan të Festave, të bëni njoftimin me kohë për nëpunësit e administratës publike, që për nder të festës së 28 Nëntorit, dita e hënë, 29 Nëntor 2021, do të jetë ditë pushimi. Ju lutem të mbani të informuara të gjitha institucionet publike lidhur me këtë kërkesë”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar Sveçlës.
Dita festive më e madhe e shqiptarëve nuk ndodhet në listën e festave zyrtare në Kosovë dhe kjo është arsyeja pse dita e pushimit vendoset nga kryeministri i shtetit.
Në Kosovë në rastet kur festat bien të shtunën dhe të dielën, atëherë pushimi shtyhet në ditën tjetër.
Ndryshe, të premten në prag të festës së Flamurit qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë mbajnë mbledhje të përbashkët në Elbasan.
Në këtë mbledhje pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve të rëndësishme./Gazeta Enigma/