Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, e ka pranuar se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka familjar, Gëzim Tosunin, i cili është propozuar për anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Nagavci ka thënë se Bislimi e ka familjar të largët Tosunin, por nuk ka ditur që të shpjegojë lidhjet e tyre familjare.
“Nuk e ka as djal të hallës, as djal të dajës e as të tezes. E ka familjar të largët, por nuk po di me shpjegu lidhjen. E ka qysh e ka Albini Glaukun”, ka thënë Nagavci.
Ndryshe, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte thënë se e kishte pyetur zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin se çfarë marrëdhënie familjare ka ai me Gëzim Tosuni, i cili pritet ta monitorojë punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Haxhiu kishte bërë të ditur se Bislimi i ka treguar se në 50 vjetët e fundit ndoshta e ka takuar një herë.
“E pyeta për kureshtje tha se ndoshta në 50 vjetet e fundit ndoshta e kam takuar njëherë, Nuk e mbaj në mend se çfarë e ka”, kishte deklaruar Haxhiu.
Tosuni është propozuar për anëtar të KShC-së nga qeveria, në të cilën daja i tij ushtron pozitën e dytë më të rëndësishme.