Në shenjë pakënaqësie për mos marrjen e pagave të tyre, mbi 350 minatorë të minierës së Trepçës, të ndërrimit të parë janë duke mbajtur grevë, raporton Gazeta “Enigma”.
Lajmin e ka konfirmuar Gani Osmani, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrje, i cili njoftoi se minatorët nuk kanë hyrë sot fare në horizontet e minierës së Trepçës në Stantërg.
“Sot punëtorët e ndërrimit të parë, që punojnë që nga ora 7 deri në 3, e kanë ndal punën. Sot ata kanë kërkuar sqarime se pse nuk ka paga. Pagat është dashur t’i marrin që nga data 7 deri me 10. Ata kanë kërkuar sqarime dhe udhëheqësit e minierës i kanë thënë se arsyet e vonesave janë sepse tenderimi i pagave është vonuar për kontrata, pra deri në këtë moment nuk ka paga”, tha Osmani për Gazetën “Enigma”.
I pyetur nëse janë të koordinuar për protestën edhe me ndërrimet e tjera, Osmani tha se nëse pagat dalin, ndërrimi i dytë vazhdon punën. “Ndërrimi i dytë nuk e di se cka ndodhë, nëse i qesin pagat ata nuk hynë në grevë”, deklaroi ai.
Në anën tjetër edhe u.d. të drejtorit të minierës me flotacion në këtë ndërmarrje, Nexhat Dedia, e ka konfirmuar bojkotimin e punës nga ana e minatorëve.
Ai theksoi se prodhimi ka shkuar me rregull, koncentrati nga mjetet e të cilit minatorët i marrin pagat është shitur, dhe tani janë në pritje./Gazeta Enigma