Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën, se emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, gjatë vizitës së tyre të fundit në Beograd, “ia dorëzuan disa letra, të cilat ai thotë se refuzoi t’i merrte, por shtoi se i lexoi kalimthi.
Sipas tij, në pyetje ishte një projekt-marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e përgatitur nga Gjermania dhe Franca, shkruan gazeta “Danas”.
“E lexova atë letër. Duke ditur se çfarë do të ndodhte, nuk pranova ta merrja. Nuk mund të them se mbaj mend se ç’pati në ato katër faqe për pesëmbëdhjetë minuta lexim. Është e qartë se publikimi nuk ka ardhur nga pala serbe”.
“Se a është publikuar nga shqiptarët apo dikush tjetër, sepse u shkon për shtati të përdorin mediat, nuk më intereson. Pavarësisht nëse është plotësisht e vërtetë apo jo, nuk mund të mbaj mend çdo detaj, por e di se cilat ishin idetë e dikujt”, tha Vuçiç për Pink TV nga Nju-Jorku ku po qëndron.
Ai thotë se kur ka folur për “arkitekturën e re”, referencë për format të ri të dialogut, nuk ka gënjyer.
“Disa nga idetë që ishin shkruar, kam dëgjuar për to. Unë kam mjaft përvojë për të ditur se nuk duhej ta merrja atë letër”, tha Vuçiq.
I pyetur se ku është ajo letër tash, ai tha se po pret ta pranojë.
“Koka po më dhemb”, tha ai.
Në letrën e publikuar nga një portal, të cilit i referohet Vuçiq, thuhet se në vitin 2023 do të nënshkruhet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, me të cilën Serbia në fakt e pranon realitetin e Kosovës si shtet të pavarur, por nuk e njeh zyrtarisht.
Në një fazë të mëvonshme, kur BE-ja të jetë gati të zgjerohet dhe të përfshijë Ballkanin Perëndimor, do të arrihet një marrëveshje për njohjen reciproke, si parakusht për anëtarësimin e të dy vendeve në BE.
Marrëveshja parashikon që Kosova do të njihet nga pesë vendet e Bashkimit Evropian e që nuk e kanë njohur ende, ndërsa Serbia do të përfitojë ndihma enorme financiare dhe ekonomike.