E mbijetuara nga varësia e alkoolit, komentuese në Kupën e Botës

E mbijetuara nga varësia e alkoolit, komentuese në Kupën e Botës
Historia mbresëlënëse e ish-reprezentueses irlandeze e cila i mbijetoi varësisë ndaj alkoolit e përpjekjeve për vetëvrasje dhe arriti të bëhet komentuese e Kupës së Botës në futbollin për femra

(Al Jazeera) – Derisa Republika e Irlandës luante ndeshjen e parë të Kupës së Botës për femra më 20 korrik, ish-sulmuesja e Irlandës, Clare Shine, po bënte debutimin më të rëndësishëm të jetës së saj.

Tre vjet e një muaj pas ditës e cila qëlloi të ishte përpjekja e saj e dytë për vetëvrasje, të shkaktuar nga varësia në Edinburgh, Shine ishte në anën tjetër të botës, në Sidnei, duke komentuar ndeshjen e Irlandës kundër Australisë në stadiumin “Australia” të mbushur plot me tifozë.

“Është çmenduri; është absolutisht çmenduri, se si njerëzit e kanë kuptuar historinë time”, tha Shine, 28 vjeçe, për Al Jazeera-n, teksa buzëqeshte. “Vendi i errët ku fillimisht alkooli, dhe më pas droga më çuan, dhe vendi ku jam tani – si një person dhe një futbolliste në pension, në atë që është prezantimi im i parë në transmetimet e Kupës së Botës – është e pabesueshme”.

Me detyrën e saj në Kupën e Botës, si bashkëkomentuese me transmetuesin publik irlandez, Raidió Teilifís Éireann, Shine, me një figurë e paraqitje të qetë dhe të sigurt, ulet pranë Urës së Portit të Sidneit. Veshur ka një këmishë dhe pantallona prej mëndafshi dhe kjo pamje reflekton pikërisht udhëtimin buzë humnerës dhe rikthimin e saj.

“Jeta ime ishte një seri ngjarjesh fatkeqe gjatë pjesës më të mirë të jetës si atlete”, thotë ish-sulmuesja e Cork City dhe Glasgow City për betejat e saj me alkoolin dhe problemet e shëndetit mendor që i sollën një fund të parakohshëm karrierës së saj si lojtare, vitin e kaluar.

“Unë nuk e di vërtet rrënjën e problemit, por e di se ishte një përzierje e gjërave që mbushën kupën me kalimin e kohës”, shton ajo. “Kultura e pijes në Irlandë është e errët. Fëmijët fillojnë të pinë që në moshën 11-12-vjeçare, dhe unë mbaj mend që isha vetëm 14 vjeçe kur për herë të parë e fillova atë rrugë. Tek varësia ime ndaj alkoolit gjej edhe shumë shkaktarë të tjerë. Një nga shoqet e mia më të ngushta ndërroi jetë në një moshë shumë të re. Nuk pata shumë kohë që ta vuaja këtë fakt, apo më pas që ta përpunoja edhe vdekjen e xhaxhait tim disa vjet më vonë. Kështu, alkooli gradualisht, pa e ditur, u bë prehja ime”.

 “Unë nuk shihja rrugë kthimi”

Pesha e pritshmërive si një talent i jashtëzakonshëm rëndoi gjithashtu mbi lojtaren e U-19, vendësen e Cork-ut dhe ish-Shoqatën e Futbollit të Irlandës (FAI) U-19.

Pas gjithçkaje, në moshën 15-vjeçare, ajo u bë pjesë e skuadrës nënkampione të Irlandës në Kampionatin UEFA për Femra U-17 në vitin 2010 dhe luajti në Kupën e Botës FIFA U-17 për femra më vonë atë vit. Në Kampionatin UEFA për Femra U-19 në vitin 2014 ajo shënoi golin e vetëm kundër Spanjës.

Shine u transferua në Skoci në moshën 18-vjeçare. Në maj të 2015-s, ajo nënshkroi kontratë me kampionët e atëhershëm në fuqi të Premiere Ligës së Grave Skoceze, Glasgow City, dhe bëri debutimin e saj të plotë ndërkombëtar gjatë kualifikimeve të UEFA-s për Euro 2017, gjashtë muaj më vonë.

“Të shpërngulesha në një vend të ri, në moshën 18-vjeçare, ishte njësoj si të zgjidhje një qen që më parë ishte i lidhur”, shpjegon Shine. “Kisha liri, pa familje apo prindër përreth, dhe përfitova nga çdo mundësi (për t’u dalldisur) që kisha”.

Shine kujton se ishte personi i parë që hynte në lokal dhe e fundit që largohej. Në pak kohë futbolli – skuadrat e saj, stërvitjet, vitet e punës së palodhur dhe disiplina – zuri vendin e dytë, derisa alkooli dhe droga – dhe një spirale gënjeshtrash për të siguruar të dyja – u bënë fokusi i jetës së saj.

Lëndimi dhe lufta me orientimin e saj seksual i përkeqësuan gjërat. Mendja e saj ishte kthyer në një bombë me sahat.

“Unë nuk shihja rrugë kthimi dhe nuk mendoja se do të gjeja ndonjëherë paqen, kështu që mendova se mënyra më e mirë që unë të shpëtoja do të ishte që t’u jepja fund të gjitha dhimbjeve”, kujton ajo.

Në tetor të 2018-s, Shine, në gjendje të dehur, tentoi të bënte vetëvrasje, për herë të parë.

“Unë e ndërmora atë veprim pasi e mendova disa net me radhë”, thotë ajo. “Kur kthehem prapa, jam mirënjohëse që nuk më la me lëndime serioze”.

Incidenti i solli një thirrje zgjimi e kthjellimi dhe e detyroi atë të rikalibrohej në rehabilitim për një vit e gjysmë.

Megjithatë, kufizimet e imponuara nga COVID-19 shpejt nxitën një ringjallje të dobësisë së saj. Natën e 20 qershorit 2020, ajo iku pa u vënë re nga një festë në Edinburgh, në pizhamet e saj, me qëllim që të tentonte vetëvrasjen për herë të dytë.

“Kur u zhduka, kryeministrja e Skocisë (Nicola Sturgeon) ndihmoi në publikimin e thirrjes për një person të zhdukur në mediat sociale dhe figura të njohura publike e bënë gjithashtu”, thotë Shine. “Unë mora gjithashtu një videomesazh nga (ish-futbollisti amerikan) Carli Lloyd, përmes dikujt tjetër. Ishte shumë çmenduri – u bëra virale, në mbarë botën, e edhe sot ato kujtime më bëjnë të ndiej shumë dhimbje për gjithë lëndimin që u shkaktova njerëzve të mi të dashur”.

Image

“Shumë njerëz vuajnë në heshtje”

Fakti që ajo ka mundur të kalojë në anën tjetër, e pranon Shine, është po aq çështje fati sa edhe gjetja e sistemeve mbështetëse kur ajo kishte më shumë nevojë për to.

“Kur e përsërita veprimin në vitin 2020, vëllai im më ndihmoi të ngrihem përsëri në këmbë. Shoqja ime, njëkohësisht ish-bashkëlojtare e imja, Amanda Budden, ka qenë gjithashtu një mbështetje absolute. Isha me fat që munda të flisja për këtë me njerëzit dhe të trajtohesha”.

“Siç më thotë gjithmonë nëna ime, unë mund të shkoj gjithmonë në shtëpi (kur diçka nuk shkon si duhet). Kjo dashuri dhe siguri janë një gjë e paçmueshme kur gjithçka tjetër duket se po dështon”.

Me gjithë problemet e saj, ajo arriti të bënte 12 paraqitje për Glasgow City, në sezonin 2020/21 dhe shënoi 10 gola në 28 paraqitje në sezonin 2021/22, duke përfshirë një breshëri golash kundër skuadrës zvicerane, Servette FC, ku shënoi edhe golin e sezonit për klubin.

Me paraqitjen e saj të fundit si zëvendësuese kundër Malit të Zi në vitin 2020, Shine u tërhoq nga futbolli profesionist, vetëm dy javë përpara se të siguronin kualifikimin e tyre për Kupën e Botës FIFA 2023 për femra me 32 ekipe të tjera pjesëmarrëse.

“Kur Amber (Barrett) shënoi atë gol në Hampden Park kundër Skocisë tetorin e kaluar, unë po ulërija në shtëpi”, thotë Shine, për atë që tani është goli më i rëndësishëm në historinë e futbollit të femrave në Irlandë. “Po e ndiqja ndeshjen në Cork me familjen time. Ndonëse isha shumë emocionale, kualifikimi i Irlandës ishte një moment krenarie edhe për mua. Mbaj mend që nëna ime më tha: ‘Mund të kishe pritur edhe një javë’. Ka një arsye pse ndalova së luajturi, ia kujtova”.

Vitet e luftës me varësinë, rehabilitimin, një rikthim dhe dy përpjekje për t’i dhënë fund jetës së saj e kishin dëmtuar atë shumë, pranon ajo.

“Unë po luftoja shumë me veten”, shtoi ajo. “Jo shumë njerëz në pozicionin tim do të ishin larguar nga futbolli kur unë e bëra këtë. Ata do të vazhdonin të trokisnin derë më derë. Unë duhej të merrja atë vendim, në atë kohë, për shëndetin dhe mirëqenien time mendore”.

Në vitin 2021, Shine gjeti një tjetër spirancë në jetën e saj. E pasigurt për gati dy vjet për këtë vendim, ajo vendosi të shkruante autobiografinë e saj “Scoring Goals in the Dark” (Shënimi i Golave në Errësirë). Libri me bashkautoren Gareth Maher, ndërlidhësja mediatike e Irlandës në Kupën e Botës, u botua qershorin e kaluar.

“Përmes librit tim, thjesht doja të ndihmoja sa më shumë njerëz që të mos bënin të njëjtat gabime si unë. Doja ta ndaja historinë time, sepse shumë njerëz vuajnë në heshtje si unë. E ndiej se nëse do të flisja më herët, ndoshta do të isha ende duke luajtur”.

Përveç një karriere në transmetim, Shine po ndjek një kurs për stërvitje nga distanca nga një institucion me bazë në Angli dhe së shpejti do të transferohet në Australi me të dashurën e saj.

Tani për tani qasja e saj ndaj jetës, pas daljes në pension, bazohet në “të luajturit me vesh”, duke iu referuar komentimin të ndeshjeve. Në të ardhmen, ajo synon të punojë ngushtë me atletët si mentore e mirëqenies mendore dhe më pas të studiojë për varësinë.

“Nëse do të doja që futbollistët e rinj të merrnin diçka prej meje, do të ishte guximi”, thotë ajo, duke treguar tatuazhin “ji i/e guximshme” që kishte bërë në parakrah vitin e kaluar.

“Kisha shumë frikë nga njerëzit për gjërat që kam bërë. Kur bën paqe me këtë dhe i pranon gabimet e tua, ka aq guxim në të, po aq sa ka në marrjen e pronësisë mbi jetën tënde”, tha ajo. “Jo shumë njerëz mund ta bëjnë. Dhe unë jam krenare që jam në gjendje ta bëj këtë”.

Related Articles