Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 10 mijë euro gjobë, pasi kandidatja për deputete, Donika Gërvalla, e quajti Ramush Haradinajn “Gjeneral të vetëshpallur”, gjatë një tubimi në Deçan.
Gërvalla u deklarua ashtu në tubimin në kuadër të fushatës zgjedhore në qytetin e Deçanit, më saktësisht në shtëpinë e kulturës “Jusuf Gërvalla”.
Ankesën e ka paraqitur koalicioni AAK-NISMA, Konservatorët dhe Intelektualët.
Në shqiptimin e gjobës PZAP shkruan: “Subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, me seli në Komuna Prishtinë, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, i shqiptohet dënimi me gjobë në lartësi prej 10 mijë eurove”.
Në ankesën e koalicionit Kosova Fituese thuhet: “Gjatë këtij fjalimi, Donika Gërvalla-Schëartz, duke aluduar për Ramush Haradinaj, të njëjtin e quan ‘gjeneralë të vetëshpallur’ (në shumës), e më pas vazhdon e njëjta vazhdon ‘prandaj unë mendoj që aq më pak meriton respekt kush sakrificën personale apo familjare e përdor për arsyetim për krim për korrupsion, për vrasje apo mashtrim’”.
PZAP, tutje thekson se Lëvizja Vetëvendosje ankesën e AAK-së e quajti “pretendim të pasaktë, të pavërtetë, dhe si i tillë, i paqëndrueshëm”.
Ky institucion deklaratën e Gërvallës e quan gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes.