E rëndë në Gjilan: 35-vjeçarja shtatzënë në muajin e shtatë arrin pa shenja jete në spital – Prokuroria nis hetimet

E rëndë në Gjilan: 35-vjeçarja shtatzënë në muajin e shtatë arrin pa shenja jete në spital – Prokuroria nis hetimet

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në rajonin e Gjilanit, ku një 35-vjeçare, shtatzënë në muajin e shtatë, ka humbur jetën pasi gjendja e saj shëndetësore ishte rënduar.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është B.G. 35-vjeçare, nga fshati Drobesh i Vitisë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rreth orës 20:45, B.G kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Për shkak të gjendjes së saj, ajo është nisur menjëherë për në Spitalin Rajonal në Gjilan. Sipas të dhënave të siguruara nga Prokuroria, 35-vjeçarja ka arritur në Emergjencën e spitalit pa shenja jete.

Rasti bëhet edhe më i rëndë nga fakti se e ndjera, sipas raporteve mjekësore të cituara në informacionet fillestare, ishte shtatzënë në muajin e shtatë.

Në Spitalin Rajonal kanë dalë hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme, Krim-teknika dhe Prokurori i Shtetit, ndërsa janë ndërmarrë veprimet e para hetimore për sqarimin e rrethanave të vdekjes.

Nga të dhënat e deritanishme, nuk janë evidentuar indicie se vdekja është shkaktuar nga ndonjë faktor i jashtëm apo veprim kriminal. Dyshimet fillestare janë se vdekja mund të ketë ardhur nga shkaqe natyrore, por shkaku përfundimtar ende nuk është përcaktuar.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, i cili pritet të përcaktojë shkakun e vdekjes.

Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Related Articles