Të martën, më 1 nëntor pritet që të hyjnë në fuqi masat e reja për targat, të propozuara të premtën nga Qeveria e Kosovës.
Bëhet fjalë për vendimin e ri të qeverisë, për shkallëzim të zbatimit të vendimit për targat e veturave të serbëve të Kosovës.
Sipas propozimit të kryeministrit Albin Kurti, sanksione do ketë për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe në RKS.
Nga data 1 nëntor, deri më datë 21 të këtij muaji do të vlejë vetëm masa e qortimit.
E nga 21 nëntori e deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese.
Zëdhënësja në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi, në një përgjigje për Klankosova.tv, ka thënë që gjithsej janë 23 vetura të regjistruara në regjione të ndryshme, të cilat kanë konvertuar targat ilegale në targa të Republikës së Kosovës.
”Javën e fundit është rritur interesimi i qytetarëve për të konvertuar targat duke i’u përgjigjur pozitivisht fushatës informuese. Të gjitha 34 qendrat komunale të Regjistrimit të Automjeteve janë në dispozicion për zhvillim të këtij procesi andaj ftojmë qytetarët, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që të vazhdojnë t’i regjistrojnë veturat e tyre, me mundësi të përfitimit nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targa ilegale në targa RKS deri me datë 31 mars 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit, në cilëndo qendër të regjistrimit”, ka thënë ajo.