“Desha të sprovohesha, të tregoja se edhe vajzat mund të luajn klarinetë”, këto janë fjalët e 13-vjeçares nga Gjilani, Onida Aliu, sa herë që dikush e pyet për rrugëtimin e saj muzikor, shkruan Gazeta Enigma.
Ishte vetëm 9-të, kur në shkollën e saj të rregullt erdhën disa profesor dhe prezantuan ca instrumente.
Ndonëse gjithmonë kishte pëlqyer pianon, me të dëgjuar për klarinetin, tingujt që ky instrument ofron, mënyrën se si luhet, vogëlushja gjilanase kishte ndarë mendjen se ky është instrumenti që ajo dëshiron ta mësoj e t’ia dhuroj tërë përkushtimin.
Pak vajza mësojnë klarinetin në Gjilan, pse e zgjodhi këtë instrument ajo?
Në fillim nga njerëzit përreth asaj i’u tha se një instrument i tillë luhej vetëm nga djemt dhe se nuk ishte i duhuri për të, por pavarësisht kësaj Onida zgjedhi të dëgjojë atë se çka i thoshte mendja dhe jo rrethi.
“Klarinetin e zgjedha për ta mësuar sepse të gjithë thonin se është i vështirë për tu luajtur, se vajzat nuk munden. Tingujt e tij janë mahnitës. Më pëlqen që unë të frymojë në të që të tjerët t’i dëgjojnë këta tinguj”, tregon 13-vjeçja, për Gazetën Enigma.
Aliu më tej shton se në fakt e lehtë nuk ishte aspak që të luhej ky instrument frymorë i paisur me një gjuhëz e me një fyell me tetëmbëdhjetë vrima e me disa çelësa, që mbaron në trajtën e një borie.
Onida kujton duke qeshur se kur nisi ta mësonte mezi e mbante mirë në duart e saj të vogla, një instrument të madh.
“Në fillim ka qenë e vështirë për shkak të frymarrjes, por më pas gjatë ushtrimeve që bëja në shtëpi e në shkollë, nuk ka qenë më një problem, falë edhe profesorit tim”, thotë ajo.
Tutje klarinetistja tregon për emocionet e saj saherë që performon para publikut.
“Saherë që dal para publikut kam shumë emocione, e mendoj se si do të shkojë performanca, por kur dal në skenë emocionet i lë anash, fokusohem në atë se çka do të luaj, e kur dëgjoj duartrokitjet ndjehem shumë mirë”.
Kush u përkujdes që ky rrugëtim të ishte më i lehtë për klarinetisten e re?
“The Radiant Bride, “Auld Lang Syne”, “Himni”, janë vetëm disa prej pjesëve që gjilanasja ka performuar në koncerte nën mentorimin e profesorit të muzikës, Arsim Ademi.
Profesori Ademi tregon se cilat janë vështirësitë të punohet me fëmijët në instrumente frymore.
“Të punohet me fëmijët në Instrumentet frymore nuk është e lehtë. Dallimi mes vajzave dhe djemëve nuk vërehet, vetëm duhet të mësohet diafragma dhe fryrja në instrument. Me nxënësit si Onida është më e lehtë të punohet, në nivelin e saj ajo është e dalluar”, shton profesori i klarinetit, Arsim Ademi.
Aktualisht interesimi i vajzave në Shkollën e Muzikës në Gjilan, për të mësuar këtë instrument është shumë i ulët, gjithësej janë katër.
Onida thotë se pasionin e saj për klarinetin do t’a vazhdojë pafundësisht teksa në planet e saj të ardhshme është edhe solokëndimi. /Gazeta Enigma
Video nga koncerti i fundit:
@oonidaaa The Radiant Bride – Clarinet & Piano #fyp #viral #kosovo #albania #music #calrinet #clarinetists #albanianmusic #instrumental #fürdich #🇦🇱 #🇽🇰 ♬ original sound – Onida Aliu