Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk do të kishte mundur të shkelte në veri të Kosovës pa arritjet e qeverisë së saj, që sipas saj, kanë krijuar kushtet për sovranitetin e vendit, shkruan Gazeta Enigma.
“Mos me qenë arritjet tona, Kurti as s’ka mund të shkel në veri, sepse na i krijuam të gjitha këto,” tha Tahiri.
Ajo kritikoi Kurtin për përpjekjet e tij për të bindur militantët se po shtrinte sovranitetin në veri, ndërsa ftoi mediat të bëjnë një reportazh për të verifikuar situatën atje.
“Kurti me disa beteja të vogla ka provuar me i bindë këta militantat, ‘jam duke e shtritë sovranitetin’, pra unë sikur një kryenegociatore që shtatë vite e shtriva sovranitetin unë ftoj televizonet, urdhëroni shkoni bëni reportazh edhe tregoni këtyre militantave a kemi apo nuk kemi sovranitet”, tha ajo.
Tahiri gjithashtu theksoi se prezenca e KFOR-it në veri është rritur gjatë qeverisjes së Kurtit. /Gazeta Enigma/