Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj edukatores së një çerdheje në Lipjan, e cila dyshohet për shkaktimin e lëndimeve trupore të një fëmije njëvjeçar.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, duke shtuar se ndaj të dyshuarës është nxjerrë urdhër ndalimi për 48 orë.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për dyzet e tetë (48) orë e dyshuara për shkak të veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ sipas nenit 185 të KPRK-së. Aktualisht po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rastit”, tha Shala.
Edhe Policia e Kosovës, përmes zëdhënëses Flora Ahmeti, konfirmoi mbrëmë arrestimin e edukatores dhe dërgimin e saj në mbajtje pas veprimeve hetimore.
“Po, pas përfundimit të disa veprimeve hetimore është arrestuar personi i dyshuar dhe me vendim të prokurorit e njëjta është dërguar në mbajtje”, tha Ahmeti.
Rasti u bë i njohur pasi nëna e fëmijës kishte vërejtur shenja të thonjve në fytin e vajzës njëvjeçare gjatë marrjes nga çerdhja.