Egi Duro nga Tirana, të enjten mbrëma shënoi zyrtarisht debutimin e tij në garat evropiane si VOBM (Venue Operations and Broadcast Manager – Menaxher i Operimeve të Stadiumit dhe Transmetimeve), gjatë ndeshjes Drita–Shkëndija në Ligën e Konferencës. Një moment i rëndësishëm në karrierën e tij, pasi UEFA e caktoi në Prishtinë si External Venue Operations and Broadcast Manager Trainee.
Çfarë është VOBM?
Është pozita që mbikëqyr/siguron funksionimin perfekt të stadiumit në ditën e ndeshjes dhe mbarëvajtjen teknike të gjithë procesit të transmetimit televiziv dhe organizimit të gjithçkaje që ka të bëjë me mediat, marketingun dhe pamjen vizuele të stadiumit e hapsirave zyrtare.
Nga koordinimi me UEFA-n, TV-të zyrtare, ekipet teknike dhe protokollet operative, VOBM është një rol kyç që garanton që ndeshja të zhvillohet profesionalisht brenda standardeve evropiane.
Egi Duro, me eksperiencë të madhe në median sportive, prej kohësh bashkëpunon me UEFA-n në sektorin e medias dhe ky angazhim i ri shënon një ngritje të rëndësishme profesionale.
Karrierën e nisi shumë herët në SuperSport – Digitalb, ku mbajti edhe postin e drejtorit. Së fundmi kontributi i tij në FSHF ishte dhe vazhdon të jetë thelbësor për lansimin e platformës së re FSHF TV, tashmë aktive dhe e konsoliduar.
Tani, ai shfaqet në skenën ndërkombëtare si pjesë e strukturave të UEFA-s, një hap i madh për të dhe një vlerë e shtuar për futbollin shqiptar.
Futbolli nuk luhet vetëm në fushë. Egi Duro po e dëshmon këtë. Pa dilemë, një aset i rëndësishëm për futbollin shqiptar dhe më gjerë.
