Eksperti i sigurisë: Institucionet e Kosovës të komunikojnë me BE-në për situatën në Veri

Eksperti i sigurisë: Institucionet e Kosovës të komunikojnë me BE-në për situatën në Veri

Kosova është në një fazë kritike të sigurisë shëndetësore duke u ballafaquar me pandeminë, por veç kësaj vendit po i cenohet edhe siguria në veri të Mitrovicës e me ardhjen e një vale prej 2,000 afganëve.

Eksperti i sigurisë vendore, Nuredin Ibishi ka thënë se pas fillimit të ndërtimit të një universiteti nën financimin e Qeverisë së Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës, është reaguar pak.

Sipas Ibishit ndërtimi i këtij universiteti ka qëllime të caktuara nga ana e serbëve andaj Kosova duhet të kërkojë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare.

“Realisht ne pak kemi reaguar, kjo po vazhdon edhe tani duke arsyetuar se ekziston Universiteti në Veri të Mitrovicës, e dimë lagja Bregu i Dielli që është ndërtuar si një lagje e veçantë pa leja as urbanistike as hapësinore, kështu që mendoj se duhet të reagohet me kohë se kur arrin një fazë të ndërtimit dhe zgjerimit të kapaciteteve çfarë po i bën në Mitrovicë, që po ka qëllime të caktuara mendoj se duhet kërkuar ndihma e bashkësisë ndërkombëtare këtu që është në mision që këta tu përmbahen procedurave, që të jenë konformë e jo me diktat të Qeverisë së Serbisë”, është shprehur ai.

Ibishi ka kërkuar nga institucionet kosovare të mos mbyllen në “gëzojë” që të komunikojnë me parterët strategjik dhe nëse ndërtimet në Mitrovicën veriore po bëhen pa respektim të procedurave, të ndërpriten ato.

“Institucionet tona mos të mbyllen në gëzhojë, por të komunikojnë me ndërkombëtarët, edhe me BE-në edhe me partnerët tanë strategjik dhe të tregojnë realitetin që një situatë kur nuk mundemi plotësisht ta menaxhojmë, të kërkojnë ndihmë me qëllim të reagimit dhe normal të veprimit, që të pengojnë edhe ndërtimin nëse nuk është konformë atyre standardeve”, ka thënë ai.

Tutje Ibishi ka konsideruar se ardhja e afganëve në Kosovë është barrë si në aspektin financiar ashtu edhe në atë të sigurisë.

Gjithashtu Ibishi ka thënë se mund të ekzistojë rreziku nga afganë që kanë të kaluar kriminale e që mund të infiltrohen në valën e refugjatëve.

Related Articles