Shqipëria është vënë në garë me disa vende të Bashkimit Evropian si Italia, Belgjika dhe Britania e Madhe për të ekstraduar narko-bosin, Dritan Rexhepin.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se është një proces që tashmë është nisur edhe me Prokurorinë e Posaçme.
“Dritan Rexhepi është shtetas shqiptar. Shqipëria natyrisht do të bëjë të gjitha përpjekjet që ai të ekstradohet në Shqipëri ku ka edhe një proces ku është në hetim dhe gjykim. Kështu që ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të jemi ne që do ta ekstradojmë Dritan Rexhepin.“, tha Manja për TCH.
“Nuk dua të flas më tepër për këtë proces sepse është një marrëdhënie që ne e kemi me autoritetet turke të drejtësisë. Ministria e drejtësisë në rastin konkret bën vetëm rrolin e ndërmjetësit mes dy autoriteteve tona gjyqësore. Dokumentacioni që ka mbërritur në ministri është i plotë dhe shumë shpejt do tia nisim autoriteteve turke të drejtësisë.“
Mëngjesi i 10 nëntorit e gjeti bosin e drogës të prangosur në një vilë në Turqi, vend në të cilin ai kishte hyrë përmes një pasaporte kolumbiane të falsifikuar.