Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se listës së 22 partive politike dhe 3 koalicioneve që deri më 7 maj njoftuan pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, mund t’i shtohen edhe subjektet e reja politike.
Tutje ai ka theksuar se sot, më 10 maj në orën 24:00, KQZ do të përmbyllë afatin për subjektet e reja politike, si nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, për të aplikuar për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare të radhës.
Në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, Elezi tha se certifikimit do t’i nënshtrohen vetëm subjektet e reja politike, siç janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, por jo edhe partitë politike, që ligji për zgjedhjet e përgjithshme i konsideron të certifikuara automatikisht.
“Deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi.
Tutje ai ka njoftuar se “më 12 maj përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”.
