Të hënën do të tërhiqet shorti nga subjektet politike që u certifikuan nga KQZ dhe do të mësohet numri i tyre për renditje në fletëvotimet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, raposton Gazeta “Enigma”.
Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
Në një përgjigje për Gazetën “Enigma” Elezi ka njoftuae se “shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të mbahet ditën e hënë, më 6 janar 2025, duke filluar prej orës 11:00”.
“Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, do të bëhet duke krijuar kushte të barabarta për të gjitha subjektet politike dhe trasparencë të plotë”, deklaroi ai.
Sipas Elezit tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim i paraprinë aktiviteteve zgjedhore, siç është miratimi i përmbajtjes së dizajnit dhe fletëvotimit të zgjedhjeve.
Pasi KQZ të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, ndërkaq më 11 janar subjektet politike do të fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore.