Emërohet drejtori i ri i AKI-së

Emërohet drejtori i ri i AKI-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, kanë emëruar Petrit Ajetin, Drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

“Ky emërim është bërë në përputhje me kompetencat kushtetuese të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Agjencia Kosovare e Intelegjencës deri më tash ka qenë me ushtrues detyre.

Biografia e drejtorit të ri të AKI-së, e prezantuar nga Presidenca

Petrit Ajeti ka lindur në Gjilan, më 11 tetor 1981.

Ajeti ishte bursist i programit të bursave pasuniversitare të BE-së “Young Cell Scheme”, përmes të cilit mbaroi studimet e nivelit Master në fushën e Arteve në Përgjegjësinë Sociale të Korporatave në Universitetin Metropolitan të Londrës në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajeti ka ndjekur disa programe ndërkombëtare në kuadër të zhvillimit profesional në fushën e Sigurisë. Në vitin 2016 ka ndjekur “Programin për Studimet e Aplikuara të Sigurisë”, në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” në Gjermani, pastaj programin certifikues për Menaxhim të Mbrojtjes si dhe për Marrëdhëniet Civile – Ushtarake dhe Buxhetim të Mbrojtjes në “Naval Postgraduate School” në SHBA, programin certifikues “Menaxhimi i Bashkëpunimit të Sigurisë” në Institutin e Mbrojtjes për Studime të Bashkëpunimit të Sigurisë në SHBA, si dhe programin PRINCE 2 për Menaxhim të Projekteve. Ai gjithashtu është i certifikuar në Menaxhim dhe Operim të Emergjencave nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së.

Bagazhi i drejtorit të ri të AKI-së është i lidhur edhe me fushën e sigurisë. Mbi 15 vite përvoje në institucione të ndryshme të Kosovës sikur ato publike, sikur ato private.

Nga viti 2013 ka punuar në kapacitete të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës si Zyrtar për koordinim të investimeve të huaja të mbrojtjes dhe ushtrues detyre i shefit të sektorit për integrim euro-atlantik si dhe së fundi Shef i Kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm. Çështjet kryesore ku ai është angazhuar përfshijnë Planifikimin, Programimin, Buxhetimin, dhe Ekzekutimi në fushën e mbrojtjes. Gjithashtu Ajeti ka qenë anëtar i grupit punues ndërinstitucionale për hartimin e Strategjisë së parë të Mbrojtjes. Nga viti 2007 deri në vitin 2010 Ajeti ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme në cilësinë e zyrtarit të lartë në Departamentin për Hartimin e Politikave të Sigurisë së Brendshme si dhe në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion. Ai gjithashtu ka përvojë ndërkombëtare në fushën e sigurisë si kontraktor civil për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bazat ushtarake në Afganistan dhe Kosovë.

Ajeti ka përvojë dhe si ligjerues në Universitetin Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”. Në vitin akademik 2015-2016 ai ka qenë asistent i angazhuar në këtë universitet.

Ajeti flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Ajeti është vëlla i dëshmorit Alban Ajeti.

Related Articles