Qeveria gjatë ditës së hënë ka emëruar edhe një zv. ministër në dikasterin e ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ka shkuar në 22 numri i zv. ministrave që janë emëruar nga qeveria e re që udhëhiqet nga Albin Kurti.
Kjo është biografia e Blerim Gashanit, i cili tani do të kryej funksionet publike si zv. ministër në ministrinë që udhëhiqet nga Xhelal Sfeçla.
“Blerim Gashani i lindur më 25 dhjetor 1974 në Drenas, ku dhe përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet themelore për Komunikim Masiv dhe Gazetari i përfundoi në Universitetin AAB, ku edhe vijon me studimet Master. Punoi si mësimdhënës nga 1994 deri në vitin 2000 në shkollën fillore ‘Zenel Hajdini’ Terstenik. Prej 2000 deri më 2008, ka punuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) për të vazhduar në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) nga 2008 deri më 2014. Pas vitit 2014 deri më tani punoi për organizatën qeveritare të Mbreterisë së Bashkuar, NI-CO, të cilët zbatojnë shumë projekte në Republikën e Kosovës , sidomos të lidhura me siguri dhe drejtësi”, thuhet në njoftimin e MPB-së.