Drejtoresha ekzekutive e Platformës CiviKos, Donika Emini, tha se mënyra e vetme që vendi të kthehet në normalitet sa i përket aspektit ekonomik është vaksinimi masiv i qytetarëve.
Këto komente ajo i bëri në konferencën e përbashkët me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ku folën për rëndësinë e vaksinimit masiv si dhe u dhanë një varg rekomandimesh për institucionet dhe sektorin privat.
Emini kur foli për rekomandimet tha se fillimisht duhet që ky proces të bëhet pa terminë dhe në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare.
Madje ajo tha se efikase do të ishin ekipet mobile që do të shkonin në kompani, po edhe në zonat rurale.
Emini tha se ky proces do të mund të kryhej edhe në qendrat tregtare e sheshe. Ajo ka kërkuar nga Qeveria që të negociojë me vendet e tjera që të njihen vaksinat që merren në Kosovë.
“Mënyra e vetme për tu kthyer në normale është vaksinimi. Duhet proces dinamik”.