Emisari gjerman: Fajin për masat e BE-së e ka Kurti

Emisari gjerman: Fajin për masat e BE-së e ka Kurti

Emisari gjerman, Manuel Sarrazin, ka thënë se ndëshkimi i BE-së ndaj Kosovës përmes vendosjes së masave ka të bëjë me sjelljen e kryeministrit Albin Kurti karshi kërkesave të tyre.

Siç deklaroi Sarrazin, BE-ja kishte një plan të qartë për shtensionim të situatës në veri mirëpo Kurti kishte një plan tjetër. Kjo, tha emisari, solli ndëshkimet.

“Këto janë masa të BE-së dhe mendoj se është relevante sepse sanksionet kanë tjetër nivel. Kishte një porosi të qartë të BE-së për Qeverinë e Kosovës se çfarë duam që ata të bëjnë për shtendosje… dhe kishte të bënte edhe për kryetarët e komunave. Por, zoti Kurti kishte një tjetër plan duke mos na përcjellur ne. Dhe BE-ja vendosi që të penalizojë këtë lloj të sjelljes dhe të themi se nuk e pranojmë këtë”, ka deklaruar Sarrazin në RTV 21.

Tutje, Sarrazin e ka konsideruar gabim të madh vendimin për daljen në punë të kryetarëve të veriut, përkatësisht atij të Zveçanit, që çoi edhe deri te tensionet.

“Personalisht mendoj se ishte një gabim i madh çfarë ka bërë Albin Kurti në rastin që çoi në situatën e krijuar në Zveçan (me rastin e lëndimit të ushtarëve të KFOR-it dhe trazirave atje). Por, e gjithë ajo që ndodhi nuk ishte vetëm përgjegjësi e vetme e palës së Kosovës. Bashkimi Evropian iu komunikoi qartë atë që do që të bëhet, pra disa pika, me qëllim që situata të shtendoset”.

Megjitatë, emisari gjerman konsideron se faji është edhe te Qeveria e Serbisë. Ai bëri thirrje që kryeministri Kurti ta testojë sa më shumë Serbinë, duke përmbushur kriteret e marrëveshjes në mënyrë që edhe serbët ta kryejnë pjesën e tyre.

Related Articles