Emrat/ Komisioni Qendror Zgjedhor rekomandon zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe

Emrat/ Komisioni Qendror Zgjedhor rekomandon zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe
Komisioni Qendror Zgjedhor ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje, KQZ ka miratuar rekomandimin e kandidatëve të radhës për zëvendësimin e dhjetë deputetëve të dorëhequr nga subjekti politik, Lista Serbe.

Deputetët e Listës Serbe janë zëvendësuar me nëntë deputetë të kësaj partie dhe një tjetër nga iniciativa qytetarë, SPO, të certifikuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021.

Ky rekomandim vie pas kërkesës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, do të dorëzuar më 8 nëntor 2022.

Ndryshe të shtunën, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë njoftuar publikisht se janë larguar nga institucionet drejtuese të Kosovës.

Të njëjtit kanë vendosur që të heqin dorë nga mandati i deputetëve.

Në kuadër të dorëheqjeve në veri të vendit pati zhvillime të njëpasnjëshme. Rreth 600 zyrtarë policorë janë dorëhequr, e njësoj kanë vepruar edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe.

Po ashtu gjatë ditës së djeshme është bërë e ditur se dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor nga nacionaliteti serb, teksa sot dorëheqje dhanë edhe zyrtarët e Doganës së Kosovës, nga nacionaliteti serb.

Të dorëhequr nga nacionaliteti serb në veri të vendit janë gjithashtu edhe prokurorë e gjyqtarë të shumtë.

Zhvillimet e njëpasnjëshme në veri të vendit erdhën pasi Qeveria e Kosovës nisi lëshimin e fletëqortimeve ndaj serbëve të cilët nuk kanë konvertuar tabelat e automjeteve nga ato ilegale në RKS.

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja është kërkuar që gjithçka të zgjidhet përmes dialogut, e që të mos ketë përshkallëzim të situatës në veri.

Related Articles