Emre Can do të jetë për gjatë gjithë jetës mirënjohës aventurës së tij te Juventusi.
Mesfushori turko-gjerman kaloi dy vite te skuadra bardhezi, nga 2018 deri më 2020 para se të kalonte te Borussia Dortmund.
29-vjeçari ka dhënë një rrëfim tronditës për Dazn ku ka zbuluar se kishte kancer në tiroide.
“U jam jashtëzakonisht mirënjohës mjekëve. Disa muaj pas vizitave mjekësore me Juven më thirrën. As që e dija se çfarë po ndodhte, nuk kisha dëgjuar kurrë për një tiroide dhe nuk e dija se kisha tumor. Transferimi në Torino ia vlejti vetëm për këtë”, tha Can.
Anëtari i skuadrës gjermane Borussia Dortmund më tej tregoi se si erdhi deri te zbulimi i kancerit në tiroide nga mjekët e gjigantit italian.
“Kisha kancer në tiroide dhe kisha nevojë urgjente për një operacion. Kjo ngjarje e ka ndryshuar shumë jetën time”.
“Mund të kesh shumë para, mund të kesh gjithçka, por shëndeti është gjëja më e rëndësishme. Është pjesë e jetës, i këshilloj të gjithë të bëjnë disa kontrolle. Nuk ka rëndësi sa të shëndetshëm besojmë se jemi, nëse i zbulojmë këto gjëra në kohë, ne mund të shërohemi”, deklaroi mesfushori gjerman.
Reprezentuesi gjerman luajti 45 ndeshje zyrtare me Juventusin, ku realizoi katër gola e asistoi në një tjetër.