Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”.
Ky çmim për javën e 29-të në Albi Mall Superligë i ka takuar portierit të FC Ballkani, Enea Koliqi.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Enes Shosholli, Vllaznim Visoka dhe Selajdin Jerliu.
Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e 29 -të t’i takojë Enea Koliqit, pasi kur ishte rezultati 0:1 Enea kishte tri intervenime shumë të mira, duke mos lejuar të barazohet rezultati.
Pasi mori këtë çmim futbollisti i FC Ballkanit u shpreh i lumtur që për herë të parë u vlerësua si më i miri i javës.
“Faleminderit për këtë çmim. Është një vlerësim i madh për mua. Dua t’ua dedikoj të gjithë lojtarëve tanë që kanë pasur meritë për këtë fitore. Shpresojmë që të vijnë edhe çmime të tjera në të ardhmen”.
“Objektivi i ekipit është i qartë – të jemi në vendin e parë në fund të kampionatit. Çdo ndeshje është si një finale për ne, veçanërisht në këto ndeshje të fundit, ku pikët janë të rëndësishme. Shpresojmë të vazhdojmë këtë rrugë”, tha Koliqi për faqen zyrtare te FFK-së.