Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se marrëdhëniet e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të shëndetshme dhe se Washingtoni duhej të “zgjidh” çështjet lidhur me blerjen e sistemeve mbrojtëse ruse të raketave S-400 nga Ankaraja.
Marrëdhëniet midis aleatëve të NATO-s arritën në një pikë të ulët në fillim të këtij viti kur Washingtoni vendosi sanksione ndaj industrisë mbrojtëse të Turqisë për blerjen e raketave ruse S-400.
SHBA-ja gjithashtu ka përjashtuar Ankaranë nga programi i saj i avionëve F-35, ku ishte blerës dhe prodhues.
“Nuk mund të them që po zhvillohet një proces i shëndetshëm në lidhjet turko-amerikane. Ne blemë F-35, paguam 1.4 miliardë dollarë dhe këto F-35 nuk na janë dhënë. Shtetet e Bashkuara duhet ta zgjidhin këtë së pari”, tha ai për gazetarët pas pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB -së në New York.
Erdogan tha se Ankaraja do të plotësonte nevojat e saj të mbrojtjes nga ndonjë shtet tjetër nëse Washingtoni nuk do t’i ndihmonte, shkruan Reuters, përcjellë Gazeta “Enigma”.