Analistët në Prishtinë kanë komentuar vizitën zyrtare të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atij evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak
Ata thanë se Escobar dhe Lajçak janë pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë një shtysë procesit të ngecur të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hulumtimin e politikave, Naim Rashiti, tha për Zërin e Amerikës se vendosja e kuadrit për një dialog të ngjeshur pas zgjedhjeve në Serbi, që mbahen në fillim të muajit prill, është në qendër përpjekjeve të dy zyrtarëve të lartë.
“E më konkretisht përpjekje po bëhen për çështjen e energjetikës për veriun, Asociacionin (e komunave me shumicë serbe), targat dhe elemente tjera, që eventualisht, do të ndihmonin për një klimë të re të dialogut”.
“Kjo krejt është e përkufizuar për një përpjekje për dy vjet deri dy vjet e gjysmë, kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të bëjnë shumë përpjekje për t’i bindur Serbinë dhe Kosovën për të bërë një marrëveshje. Duket, së paku nga ky këndvështrim, si një përpjekje finale, në një farë forme një përpjekje e fundit në këtë nivel, në nivel të lartë politik për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për një marrëveshje”, tha ai.
Analisti, Ilir Ibrahimi tha se vizita në rajon synon t’u jap një frymë të re bisedimeve të ngecura.
“Zoti Escobar e kishte dhënë një intervistë para se të vinte këtu, ku thoshte se status-quoja nuk ishte e qëndrueshme dhe është në dëm të Kosovës, pra Kosova po zbrazet, sepse të rinjtë nuk po shohin perspektivë dhe dialogu do të hapte një perspektivë të re për Kosovën dhe kjo është një nga prioritetet e administratës amerikane. Pra, nëse do ta përmblidhnim me një fjali se cili ishte mesazhi kryesor, mesazhi kryesor ishte se duhet angazhim serioz dhe urgjent në dialog”, tha ai.
Gjithashtu, analistët thonë se vizita e përbashkët synon po ashtu të përçojë mesazhin e një përpjekje shumë më të madhe trans-atlantike drejt përmbylljes së procesit të bisedimeve.
Rashiti thotë se kërkesat për një marrëveshje ndërmjet dy shteteve përfshijnë edhe thirrjet për kompromise, por jo të tilla që do të ishin të papranueshme për Kosovën dhe të cilat e cenojnë funksionalitetin e saj.
“Por, duhet të kemi një marrëveshje që i ka nënshkrimet e bartësve të Republikës së Kosovës dhe bartësve të Republikës së Serbisë, një marrëveshje ligjërisht e obligueshme e cila pastaj në të drejtën ndërkombëtare funksionon mjaftueshëm për të marrë njohjen e vendeve tjera, në veçanti të vendeve të BE-së dhe NATO-s dhe kjo është përpjekja e madhe amerikane”.
“Nuk po bëhet përpjekje për të zgjidhur problemet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së sepse po i shohim telashet tani edhe më të reja edhe më të mëdha ndërkombëtare, por po bën përpjekje që në kontekstin euro-atlantik të zgjidhen barrierat për Kosovën, për ta çuar atë së pari drejt NATO-s pastaj drejt BE-së”, tha Rashiti.
Brahimi thotë se sfidë paraqet e kaluara e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili nëpër vite, gjatë kohës sa ishte në opozitë, ka kundërshtuar marrëveshjet. Ai thotë se kryeministri Kurti duhet të ndërtojë një diskurs të ri për t’u bërë një partner konstruktiv në bisedime
“Nuk ka pasur asnjë ndryshim në qasjen apo qëndrimin qoftë të administratës amerikane qoftë të Brukselit sa i përket Asociacionit. Është një marrëveshje që është nënshkruar në vitin 2015, e cila duhet t’i përmbahet Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe duhet të jetë në përputhje me çdo ligj që kemi ne këtu, ndërkohë që zoti Kurti këtë e ka bërë një lloj gogoli për të mbledhur vota, për ta frikësuar popullatën dhe tani e ka të vështirë ta bindë këtë popullatë, të cilën e ka bindë se është një gjë shumë e keqe, që nuk qenka aq e keqe”, tha zoti Ibrahimi.
Ndryshe, Escobar dhe Lajçak u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e deritashme, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por pa dëmtuar tërësinë dhe funksionalitetin e Kosovës.