Përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në konferencën e mbajtur për media ka thënë se kjo administratë bashkë me atë të mëhershmen të SHBA-së mbështetë fuqishëm pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Tutje ai ka theksuar se si Kosova po ashtu edhe Serbia do të arrijnë në një periudhë të normalizimit.
Escobar në këtë konference është shprehur optimist për marrëveshjen Kosovë – Serbi.
“Mendoj se në këtë rol si përfaqësues special është me rëndësi të bëjë vizitën e parë në Kosovë me të për të treguar unitet, përkushtimin ndaj dialogut, ndaj një të ardhme në të ndritshme si për Serbinë e Kosovën. Jemi takuar me udhëheqësit gjatë vizitës, kemi pasur takime shumë produktive. Në fund të këtij procesi shpresojmë se rezultat do të jetë një zgjidhje që do të jetë e mirë për të dyja. Kam besim se mënyra se si gjërat më duken e përkushtimi i partnerëve tanë bashkë me mbështetjen e amerikanëve këtë proces do të arrijmë”, ka thënë ai.
Ai shtoi se kur ka përmendur që ka shumë opsione për krijimin e Asociacionit, nuk ka përmendur që të jetë një model që mund të dëmtoj sovranitetin e Kosovës.
“Ajo çfarë kam thënë kur kam thënë që ka shumë opsione më krijimin e një Asociacioni, ka qenë për të thënë se nuk është e thënë që të jenë modele që dëmtojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës. Duhet të gjendet një prej modaliteteve që nuk e cenojnë pavarësinë”, ka theksuar Escobar.
Përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, më tej theksoi se nuk është qëllimi i SHBA-ve që të imponojë ndonjë model ose të zgjedh një të tillë në emër të të dyja palëve.
“Nuk është qëllimi i SHBA-ve që të imponojnë ndonjë model, ose të zgjedh ndonjë model në emër të dyja palëve, megjithatë ne mund të ndihmojmë nëse ata kanë ndonjë model që duan të analizojnë”, ka deklaruar Escobar.
Tutje Escobar ka thënë se sa i përket njohjes të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, është besim i tyre që të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor, duhet të jenë në BE.
“Ne duhet ta tejkalojmë dialogun dhe të shkojmë në një pozitë ku të gjitha vendet ta njohin njëri tjetrin, janë në paqe dhe janë në rrugë drejt integrimit në BE”, ka përfunduar ai. /Gazeta Enigma/