I dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të mos humbasë kohë në integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për mediumin serb në ShBA, “PavlovicToday”, Escobar ka thënë se Ukraina mund të anëtarësohet në BE para shteteve të Ballkanit Perëndimor.
I pyetur se “cili është mesazhi juaj për Kurtin”, Escobar tha “Të lutem, mos humb kohë”.
“Procesi i zgjerimit të BE-së aktualisht është real, dhe ka shumë presion për integrimin e Ukrainës. Prandaj, unë mendoj se kur zgjerimi të ndodhë, do të doja të shihja të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara. Por nëse nuk ecin, Ukraina megjithatë mund të ecë. Prandaj, nuk dua të humbasë më shumë kohë në diskutime teknike të sekuencimit sepse, siç kam thënë më parë, asociacioni është detyrim ligjërisht i obligueshëm. Duhet të ndodhë”, tha Escobari.
Sipas tij, çështja kyçe është: “Sa gjatë duan qytetarët e Kosovës të presin që Kosova ta kryejë punën e saj, dhe sa gjatë njerëzit e rajonit duan të presin për normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë”?
Pjesë nga intervista:
Në dritën e komenteve të fundit të shefit të politikës së jashtme të Evropës, Josep Borrell për ngurrimin e dukshëm të kryeministrit Kurti për kompromis, lind pyetja: A dëshiron vërtet Kryeministri Kurti të jetë pjesë e një zgjidhjeje diplomatike?
Escobar: Nuk mund të flas në emër të zotit Kurti. Por duket se ai po përpiqet të vendosë kushte për Bashkimin Evropian. Tani, nëse Kryeministri i një vendi me një milion e gjysmë banorë mund të jetë ai që do t’i diktojë kushtet një komuniteti transatlantik prej 700 milionë banorësh, mendoj se duhet të ketë pak realizëm në këtë marrëdhënie. Kështu që unë shpresoj se ne mund ta çojmë Kosovën në një vend më pragmatik dhe më real.
Çka do të thotë kjo në aspektin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe?
Escobar: Shikoni planin që propozoi Bashkimi Evropian, i cili mendoj se është shumë i drejtë. Të dyja palët duhet të fillojnë menjëherë zbatimin e kërkesave të tyre. Unë e di se në disa raste, Serbia dëshiron që Kosova të themelojë Asociacionin para se të ndërmarrë veprime nga ana e saj, dhe e di që Kosova ka propozuar që Serbia të përfundojë të gjitha pjesët e saj përpara zbatimit të Asociacionit. Por Asociacioni do të jetë një proces. Kështu që unë mendoj se ne duhet të fillojmë atë proces. Njohja e targave të Kosovës, kartave të identitetit, dokumenteve qeveritare, të gjitha këto janë pjesë e saj. Dhe duke trajtuar çështjen e strukturave paralele në kuadër të Asociacionit, mendoj se edhe ky është një proces. Kështu që unë besoj se ky proces duhet të fillojë tani. Ne ende presim që qeveria e Kosovës të tregojë se është duke ecur përpara me Asociacionin.