“Rendi botëror ka rënë!”. Kështu u shpreh presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pas një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku diskutoi me tonë kritike për operacionin amerikan për kapjen e mikut të tij në Venezuelë, Nikolas Maduro.
“Pas veprimeve në Venezuelë, është plotësisht e qartë se rendi publik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së nuk zbatohen”, theksoi Presidenti serb, duke shtuar se ligji i forcës dhe ligji i më të fortit po dominojnë botën.
“Pra, ju e shihni që nuk ka parime. Kjo është arsyeja pse ne jemi veçanërisht të shqetësuar për armatimin e mëtejshëm të Prishtinës, në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244, e cila është pezulluar de facto, por jo de jure, nga fuqitë e mëdha, siç është Turqia. Ato po e armatosin me shpejtësi Prishtinën. Një kërcënim i veçantë për sigurinë e Serbisë është aleanca ose bashkimi i sapokrijuar i Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, i cili po zhvillohet në një fushë të gjerë që përfshin zhvillimin e përbashkët të sistemeve komplekse luftarake nga automjetet katër me katër deri te armët dhe mjetet më të fuqishme”, tha Vuçiç, duke shtuar se Serbia po e monitoron nga afër këtë dhe po përgatitet për mbrojtje kundër atyre që pretendoi se tani po bëjnë “kërcënime të hapura” ndaj Serbisë.
“Duam t’ju themi se Republika e Serbisë po e ndjek këtë me kujdes dhe ne jo vetëm që po e ndjekim, por po përgatitemi edhe për t’u mbrojtur kundër atyre që, as fshehurazi, por hapur kërcënojnë vendin tonë. Ne besojmë se forca jonë do të jetë një pengesë e mjaftueshme”, theksoi Vuçiç. (A2 Televizion)
