“Është momenti i fundit që sektori privat të shihet si partner në shtimin e kapaciteteve”

“Është momenti i fundit që sektori privat të shihet si partner në shtimin e kapaciteteve”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Behgjet Pacolli ka folur për krizën energjetike në Kosovë.

Pacolli thotë se problemet energjetike në Kosovë sot po prekin çdo segment të shoqërisë sonë, qytetarët dhe bizneset.

Pacolli ka pohuar se ka projekte që po dështojnë në sektorin e energjisë.

“Politikat adekuate ndaj investitorëve ndikojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë por edhe në diversifikim. Sot kemi një politikë problematike për sektorin e energjisë, e cila është thelluar prej disa vitesh. Ka projekte që po dështojnë në sektorin e energjisë, ka të tjera që janë bërë investimet por nuk mund të vihen në funksion për shkak të bllokadave procedurale dhe administrative në ZRRE”.

“Një rast i tillë është në Sharr dhe Brezovicë ( rastësisht e njoh rastin janë investitorë nga jashtë), të cilat kanë mbi 10 Mgë kapacitet prodhues të energjisë, por nuk janë duke u lëshuar licencë nga ZRRE”, ka thënë ai në një postim në Facebook.

Pacolli ka shtuar tutje se “është momenti i fundit që sektori privat të shihet si partner në shtimin e kapaciteteve energjetike në Kosovë dhe jo të trajtohet siç po bëhet tani nga ZRRE”.

“Vetëm me prodhim të mjaftueshëm të energjisë dhe me mbrojtjen e duhur të investitorëve dhe rregullat ligjore moderne është e vetmja rrugë për të zhvilluar ekonominë tonë, për të rritur investimet e huaja dhe për të prodhuar më shumë energji dhe ngritjen e kapaciteteve të reja. /Gazeta Enigma/.

Related Articles