Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, përmes një postimi në Twitter ka thënë se janë duke monitoruar zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat në pikat kufitare.
Sipas tij, EULEX-i do të vazhdojë të ndjekë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
“Ekipet tona monitoruese vizituan të gjashtë Pikat e Përbashkëta të Kalimit midis Kosovës dhe Serbisë sot për të shqyrtuar futjen e regjimit të ri të afisheve të targave. Sistemi i ri po funksionon dhe trafiku rifilloi në të gjithë CCP -të. EULEXKosovo do të vazhdojë të ndjekë zbatimin e marrëveshjes”, ka shkruar Wigemark.
Më 30 shtator, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në dialogun në Bruksel, janë pajtuar që automjetet e të dyja vendeve, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës, të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore të vendit përkatës në targat e automjeteve.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka nisur më 4 tetor dhe në vendkalimet kufitare, të dyja palët kanë nisur t’i pajisin automjetet e vendeve përkatëse me letra ngjitëse për targat e tyre.
Pas bisedimeve të gjata në Bruksel ishte arritur marrëveshje tre pikëshe për targat mes palës kosovare dhe asaj serbe.
Pika parë tashmë është zbatuar pasi Njësia Speciale e Policisë është larguar nga Jarinja dhe Bërnjaku, bashkë me barrikadat, e aty janë vendosur KFOR-i.
Por, deri më 8 tetor, të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të Serbisë dhe që qarkullojnë brenda territorit të Kosovës, duhet të pajisen me letrat ngjitëse (stickers) të cilat duhet të vendosen mbi simbolet shtetërore në targat e tyre, kanë deklaruar zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se që nga 8 tetori, automjetet që kanë targa të Serbisë dhe mbi simbolet e të cilave nuk janë vendosur letrat ngjitëse, do të sanksionohen sipas ligjit.
“Në raste të tilla, prej të premtes, prej datës 8 tetor, kushdo që zihet brenda territorit të Kosovës pa stickers (letra ngjitëse), atëherë do të gjobitet në bazë të Ligjit për trafik”, thekson Tela.