EULEX-i e transferon dialogun te Zyra e BE-së në Kosovë (VIDEO)

EULEX-i e transferon dialogun te Zyra e BE-së në Kosovë (VIDEO)

Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me dialogun Kosovë-Serbi, më së largu deri më 31 dhjetor 2022 do të trajtohen nga vetë Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, të cilat do të kalohen nga Misioni i Sundimit të Ligjit në Kosovë, EULEX që aktualisht merret me to.

Procesi i transferimit po shkon mbarë, sipas shefit të këtij misioni, Lars Gunnar Wigemark, përfshirë këtu edhe çështjen e kërkimit për mbetje mortore për çka Wigemark tha se ka zhvillime.

“Në pranverë do të nisim punën sërish… Tani për tani besoj se kemi 7 apo 8 urdhra gjykate në pritje e sipër, numri veçse po rritet dhe shpresoj se ka vetëm arsye praktike pse këto urdhra nuk po zbatohen”.

Përveç identifikimit të pikave të reja të kërkimit, janë edhe disa pika të tjera, kufitare, mes Kosovës e Serbisë që nuk kontrollohen nga palët sipas marrëveshjeve të arritura.

“Kalimi kufitar funksionon mirë në përgjithësi, por ka disa pasur disa probleme nga ana serbe në veçanti, në pikat kufitare Merdare dhe Mutivodë, por ka disa zhvillime së fundmi dhe besoj se të dyja këto pikë-kalime do të operojnë plotësisht në javët e ardhshme, pra në dy anët, dhe ky është lajm i mirë”.

Edhe kur këto tema t’i kalojnë zyrës së BE-së, EULEX ka çështje tjera që e mbajnë të zënë. Madje, herën e fundit që iu shty mandati iu kërkuan gjëra shtesë.

“Unë personalisht e mirëpres shumë këtë, sepse është hera e parë që Kosova dhe një president ka kërkuar specifikisht diçka që EULEX duhet të merret me të. Së pari, presidentja kërkoi që misioni të përfshihet në zbatimin e Konventës së Stambollit kundër dhunës ndaj grave.” – tha Wigemark.

Kërkesa që EULEX-i të pranojë angazhime tjera u prit me habi në qershor 2021 kur misionit iu zgjat mandati për 2 vjet. Kjo ngaqë besohej se letra që ish presidenti Thaçi dhe Joseph Borell shkëmbyen në 2020, do të ishte e fundit për jetëgjatësinë e misionit./Gazeta Enigma/

Related Articles