Janë të rralla rastet kur klubet u përgjigjen mesazhve, apo kërkesave të tifozëve, ashtu siç janë edhe të rralla rastet kur klubet surprizojnë tifozët e tyre. Një gjë të tillë e ka bërë Sport Club “Gjilani” në Kosovë, derisa ka befasuar njërën nga mbështetëset e tyre në ditën e lindjes së saj, shkruan Gazeta “Enigma”.
Gjithë historia ka nisur nga një cicërimë në rrjetin social “Twitter”, derisa fanasja e klubit gjilanas ka kërkuar një fanellë zyrtare dhe të nënshkruar nga gjithë futbollistët. Kërkesa u adresua në faqen zyrtare të klubit dhe në veçanti te menaxheri i klubit, Drilon Sylejmani.
Pa kaluar 24 orë nga kërkesa, klubi e ka ftuar vajzën për ta marrë fanellën e aq shumë kërkuar me ‘firma’ të futbollistëve.
Një gjest fantastik nga një klub si Gjilani, i cili këtë vit po shquhet për organizim të jashtëzakonshëm.
Ndryshe, Gjilani ndodhet në garë për titullin kampion në Superligë, teksa po e rivalizon Ballkanin që ndodhet në krye të tabelës.
Në rastin më të keq të këtij sezoni, gjilanasit do të luajnë në garat evropiane. /Gazeta Enigma/