Faton Peci është kandiduar për kryetar të Mitrovicës, pas një koalicioni për këtë komunë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë Guxo.
Njoftimi nga Lëvizja Vetëvendosje:
Bashkëpunimit të mirë ia zgjatim dorën edhe në nivel lokal.
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet fuqishëm kandidaturën e Faton Pecit për kryetar të komunës së Mitrovicës. Më 12 tetor, Mitrovica guxon të vetëvendosë për fitoren e madhe në komunë.
Në mbledhjen e mbajtur sot kryesia e qendrës, drejtuar nga kryetari i qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë, deputeti Armend Muja, vendosi unanimisht që të mbështesë kandidaturën e Faton Pecit nga Partia Guxo për kryetar të komunës.
Gjithashtu, në një atmosferë impozante, në prani të strukturave drejtuese të Partisë GUXO dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë, në Shtëpinë e Kulturës, me prezencën e Kryeministrit të Republikës, njëherësh kryetar i LV-së, Albin Kurti, Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministre e MPJD-së dhe bashkëkryetare e GUXO-s, Donika Gërvalla, ministrit Sveçla, deputetëve Muja, Bahtiri, Fejza, Avdyli, Kraki, Reshitaj, Statovci e Zyba si dhe Sekretarit Organizativ të LV-së Alim Rama u konfirmua mbështetja për nominimin e Faton Pecit si kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës.
Me mbështetje të fuqishme dhe të pakushtëzuar nga Lëvizja, Faton Peci vjen si zgjidhja më e mirë për Mitrovicën. Ai nuk është vetëm një emër i njohur për integritetin dhe përkushtimin e tij institucional, por edhe një prej ministrave më të suksesshëm të Qeverisë Kurti, i cili ka sjellë investime dhe reforma të thella në bujqësi, zhvillim rural dhe përkrahje për fermerët në çdo cep të vendit.
Në udhëheqjen e tij në Ministrinë e Bujqësisë, ai ka dëshmuar se kur puna dhe drejtësia bëhen bashkë, rezultatet nuk mungojnë. Ky përkushtim i dëshmuar tash do të vihet në shërbim të qytetarëve të Mitrovicës, një qytet që meriton më shumë investim, zhvillim dhe dinjitet institucional.
Mitrovica u bë cep më cep sovrane vetëm me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Qeveria Kurti ka dëshmuar kujdes të veçantë për Mitrovicën, përmes projekteve infrastrukturore, përkrahjes sociale dhe investimeve në arsim e kulturë. Ky angazhim do të thellohet edhe më shumë me Fatonin në krye të Komunës, duke ndërtuar bashkë një Mitrovicë që ecën me hapa të sigurt drejt zhvillimit dhe drejtësisë.
Mitrovica meriton një kryetar me vizion, vullnet dhe vendosmëri. Faton Peci është i duhuri. Bashkë me mbështetjen e qytetarëve, edhe fitorja e madhe e 12 tetorit në Mitrovicë do të jetë e padiskutueshme.
Urime të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, të gjithë aktivistëve e mbështetësve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Partisë GUXO. Na priftë e mbara!