FBK-ja nuk do të heqë dorë nga “zbrazja e palestrave”

FBK-ja nuk do të heqë dorë nga “zbrazja e palestrave”

Federata e Basketbollit e Kosovës insiston se do të vazhdojë me rregullat strikte në palestra gjatë ndeshjeve të Superligës. FBK-ja është e vendosur t’i largoj sharjet, fyerjet dhe hedhjet në parket në ndeshjet e basketbollit kosovar.

Në FBK thonë se klubet duhet të punojnë më shumë me tifozët në mënyrë që mos të pësojnë nga ndëshkimet financiare për shkak të sjelljeve të tyre.

Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka thënë se për Federatën ka rëndësi integriteti i garës dhe për këtë arsye po vazhdojnë t’i kundërpërgjigjen huliganizmit në palestra.

Pas disa rasteve të dhunës, sidomos në turneun e Superkupës, FBK-ja vendosi për rregulla më strikte. Ndër të tjera vendosi të ndalonte grupet e organizuara të tifozëve në palestra, ndërsa për fyerje në kor nga shikuesit menjëherë merren masa.

Image

Megjithatë në xhiron e fundit të elitës së basketbollit kosovar pati largim të shikuesve nga palestra. Ishte ndeshja derbi e xhiros së 18-të ndërmjet Trepçës dhe Sigal Prishtinës, e cila u ndërpre për disa minuta. Tifozët vendas filluan sharjet në kor ndaj Prishtinës dhe ndaj Federatës e kryetarit të saj. Po ashtu kishte hedhje të pak gjësendeve. Për shkak të sharjeve në kor u vendos të largoheshin shikuesit nga palestra, që ishte e mbushur. Për Trepçën ishte ndeshja e parë me shikues, pas vuajti dënimin prej tri ndeshjeve pa shikues në palestër. Trepça tani mund të dënohet sërish.

“Sigurisht ne do të vazhdojmë t’i zbatojmë propozicionet e garave me përpikëri. Kjo do të thotë se në rast se vazhdohet me sharje, ofendime e gjëra të tjera negative që nuk kanë të bëjnë asgjë me sport të pastër, ndëshkimet 100 për qind do të zbatohen. Kështu do të vazhdojmë për shkak se për ne ka rëndësi integriteti i garës në tërësi dhe jo huliganizmi. Ne jemi të vendosur për të vazhduar t’i themi jo huliganizmit, pasi duam basketbollin e pastër”, ka insistuar Dushku të hënën për Kohën.

“Do të vazhdojmë me vendimet e 15 dhjetorit dhe nuk ka ndryshime në ato vendime. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga shikuesit që të vijnë në palestër për të shikuar basketboll dhe jo për të bërë veprime që nuk i kanë hije sportit”.

FBK-ja muajin e shkuar ka kërkuar që të shtohen masat e sigurisë dhe kontrollet për publikun. Ka emëruar një komisar sigurie për secilën ndeshje për të garantuar mbarëvajtjen e saj. Po ashtu ka kërkuar të kufizohet numri i ulëseve dhe të zbatohen dispozitat që rregullojnë ndalesën e sharjeve në kor, hedhjet në terren, si dhe gjërat e tjera negative.

Këto vendime të FBK-së kanë ardhur pas qëndrimit të Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive. Ky këshill ka kërkuar të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga FBK-ja, pas incidenteve që ndodhën në turneun e Superkupës së Kosovës të mbajtur në Prishtinë.

“Kjo situatë do të vazhdojë deri në momentin kur të vetëdijesohen tifozët”, është shprehur Dushku.

Te skuadra e Vëllaznimit, që këtë edicion nuk e ka pasur asnjë zbrazje të palestrës, kanë insistuar se situata aktuale me tifozët po është më e vështirë të menaxhohet. Kjo më së miri u vërejt në ndeshjen kundër Pejës në Gjakovë, të dielën, kur një grup tifozësh papritmas u tubuan në tribunën e tyre, shpalosën flamurin dhe filluan brohoritjet. Pas kërkesës për ta hequr flamurin, ata filluan sharjet në kor ndaj FBK-së, përpara se policia ta qetësonte situatën dhe ndeshja të mbyllej pa zbrazje të palestrës. Zyrtarët e ndeshjes dhanë vërejtje për tifozët.

“I gjithë reagimi ka ardhur për shkak se tifozët nuk po mund ta pranojnë vendimin që mos të vijnë në palestër në mënyrë të organizuar. Ne nuk e kemi pasur asnjë problem si ekip këtë edicion derisa erdhi ky vendim i cili nuk është i Federatës, por që duhet të respektohet. Kjo po reflekton keq te tifozët që pastaj mund të bëjnë edhe sharje që na kushtojnë neve si klub”, ka pranuar drejtori i Vëllaznimit, Ideal Bakija. “Ndaj Pejës tifozët u mblodhën spontanisht dhe pastaj reaguan në atë mënyrë. Megjithatë, ne kemi folur me ta dhe vazhdojmë të bëjmë një gjë të tillë për shkak se mund të pësojmë shumë si klub në aspektin financiar”.

Të gjitha grupet e tifozëve kanë kundërshtuar vendimin që mos të jenë me shenjat e tyre në palestra.

“Klubet janë ato që pësojnë në të gjitha aspektet. Ato pësojnë ndëshkime financiare sepse janë organizatore të ndeshjeve. Andaj për të mos ardhur deri te kjo, klubet duhet të punojnë me tifozët e tyre”, shtoi Dushku. “Ne si Federatë jemi shumë të lumtur që interesimi për basketboll është rritur, por edhe sjelljet duhet të jenë në frymën sportive”.

Këtë edicion ka pasur zbrazje të palestrave edhe në Prizren, Rahovec, Pejë e Prishtinë. Krahas Gjakovës, zbrazje të palestrës nuk ka pasur në Suharekë, ku ndeshjet si vendas i luan Golden Eagle Ylli.

Related Articles