Federata kosovare nuk mendon të natyralizojë mundës, beson në forcat e veta

Federata kosovare nuk mendon të natyralizojë mundës, beson në forcat e veta

Vendimi i Federatës Shqiptare të Mundjes për të natyralizuar mundësit Zelimkhan Abakarov dhe Ismal Dudaev doli i qëlluar sa i takon rezultatit sportiv. Shqipëria të shtunën arriti suksesin më të madh në sport. Abakarov, mundësi nga Çeçenia dhe i natyralizuar nga Shqipëria, fitoi medaljen e artë në Botërorin në Beograd. Suksesi i Abakarovit bëri që flamuri kuqezi i shqiptarëve të valojë midis Beogradit. Ai fitoi titullin në kategorinë deri 57 kg në stil të lirë.

Shumë vende që kanë mungesë të mundësve cilësorë po natyralizojnë mundës, kryesisht nga Çeçenia, që është republikë e Rusisë.

Rrugën e njëjtë nuk synon ta ndjekë Kosova, ndonëse shihet qartë se ka mungesë të mundësve cilësorë dhe të rezultateve kulmore. Kosova beson në forcat e veta. Është në pritje të shpërthimit të mundësve aktualë që ka.

Kryetari i Federatës së Mundjes të Kosovës, Naim Muja, thotë se Abakarov i ishte afruar Kosovës para se t’i bashkohej Shqipërisë.

“Ata që kanë shkuar te Shqipëria, së pari kanë kërkuar të vijnë te Kosova. Edhe ky që e fitoi medaljen na është afruar neve. Edhe vitin e kaluar, edhe para dy vjetësh. Ka pasur edhe të Rusisë, çeçen dhe tjerë që na janë afruar”, ka thënë Muja të dielën për KOHËN.

Ai insiston se nuk kanë interes të natyralizojnë mundës nga shtetet e tjera.

“Nuk jemi të interesuar të marrim të huaj dhe t’i bëjmë shqiptarë. E kemi të pestin e Evropës dhe të botës. Jemi në përgatitje të një gjenerate të re me femra dhe meshkuj. Mundësi kemi të marrim, por nuk më duket e kuptimtë të marrim ndonjë të huaj. Në rast të suksesit, shpërblimin dhe paratë i merr dhe i dërgon në një shtet tjetër. Ekonomikisht nuk është mirë për Kosovën t’i marrë paratë dhe t’i dërgojë në një shtet tjetër”, ka theksuar Muja.

Abakarov është 29-vjeçar dhe ka garuar për Rusinë në të kaluarën. Por për shkak të konkurrencës së madhe nuk e ka prezantuar Rusinë në ngjarjet madhore. Prandaj edhe vendosi të garonte për Shqipërinë.

“Largohen, sepse në shtetin e vet i ka konkurrentë 3000 garues. Në Rusi ka edhe vende myslimane dhe garuesit myslimanë nuk i dërgon Rusia në ngjarje të mëdha. Edhe Maqedonia ka mundës të mirë shqiptarë, por nuk i dërgon ata, por rusët. Në Federatë ishte presidenti shqiptar dhe selektori, por i larguan dhe dërguan rusë në Tokio. Mundësi shqiptar ka pasur normë dhe nuk e kanë lejuar të marrë pjesë. Norma nuk fitohet për individ, por për shtet. Në Lojërat Olimpike fiton shteti”, është shprehur Muja.

I pari i mundjes kosovare thekson se Kosova ka të rinj të suksesshëm në klube.

“Kosova ka mjaft mundës, por vetëm ndoshta duhet më shumë punë në klube. Para dhjetë ditësh tri vajza që i patëm, fituan të arta. Unë besoj se me këtë gjeneratë të re do të marrim medalje. Këta fëmijë ende nuk kanë dalë seniorë, ku edhe e kemi fokusin. Bordi i Federatës është i përbërë me persona që janë marrë me mundje. Është gjithëpërfshirës dhe vijnë nga klubet”, ka thënë Muja.

Kosova në Botërorin e Beogradit nuk dërgoi asnjë garues. Zyrtarisht u tha se u veprua kështu për shkak të sigurisë. Pritjet për medalje të madhe nga Federata kanë qenë dhe janë prej Egzon Shalës. Shala ka marrë pjesë në lojërat olimpike “Tokio 2020”, ku u eliminua në çerekfinale. Ai ishte i pesti në Botëror, ndërsa këtë vit humbi përballjen e parë në Lojërat Mesdhetare.

Related Articles