Festa është zëvendësuar me shqetësim te Napoli pas startit të dobët

Festa është zëvendësuar me shqetësim te Napoli pas startit të dobët

Ka ende flamuj bardhë e kaltër të varur mbi rrugica dhe pankarta në të gjithë qytetin që festojnë titullin e parë të Napolit në serie A që nga ditët kur Diego Armando Maradona luante për klubin. Megjithatë, kohët e fundit nuk ka pasur shumë arsye për të festuar në qytetin jugor. Me vetëm katër fitore në tetë ndeshjet e para në Serie A dhe tashmë dy humbje, të dyja në shtëpi, Napoli po përjeton një start të dobët të sezonit në krahasim me vitin e shkuar, kur nuk humbi deri në janar dhe mbeti i pamposhtur në shtëpi deri në muajin mars. Pra, është e qartë se pse trajneri i ri i Napolit, Rudi Garcia, është tashmë nën presion, me presidentin e klubit, Aurelio De Laurentiis, që është takuar disa herë me trajnerin kohët e fundit mes spekulimeve se Antonio Conte ose ndonjë trajner tjetër mund të thirret si zëvendësues.

Garcia, francezi që më parë ishte trajner i Romës, u angazhua te Napoli pas largimit të Luciano Spallettit, i cili tha se kishte nevojë për pushim. Megjithatë, Spalletti mori përsipër Përfaqësuesen e Italisë kur Roberto Mancini u largua papritur për të marrë të njëjtin rol tek Arabia Saudite. Ndërsa Spalletti dhe sulmi i lirë që ai përdori te Napoli mungojnë shumë, po ashtu mungon edhe qendërmbrojtësi Kim Min-jae. Kim, një nga zbulimet e sezonit të kaluar, iu bashkua Bayern Munichut në afatin kalimtar të verës. Fiorentina shkatërroi mbrojtjen e Napolit në fitoren 3:1 në “Stadio Diego Armando Maradona” para pushimit ndërkombëtar. Kjo erdhi pesë ditë pas humbjes 3:2 në shtëpi nga Real Madridit në kuadër të Ligës së Kampionëve. Tani, trajnerit Garcia i mungon sulmuesi i tij i shquar pasi Victor Osimhen dëmtoi kofshën e djathtë teksa ishte në grumbullim me Përfaqësuesen e Nigerisë.

“Napoli është në telashe”, tha Fabio Cannavaro, i cili e filloi karrierën e tij te Napoli. “Luan një ndeshje shumë të mirë dhe më pas lufton shumë në ndeshjen tjetër. Kësaj skuadre i mungon vazhdimësia. Kur ndryshoni trajner, ka gjithmonë disa problem”. Për ndeshjen e së shtunës në udhëtim te Verona, Giovanni Simeone ka të ngjarë të zëvendësojë Osimhenin në sulm, me Giacomo Raspadorin një tjetër opsion për Garcian. Osimhen u lëndua, gjithashtu, në fillim të sezonit të kaluar dhe Simeone Raspadori u ngritën për të ndihmuar në zgjatjen e startit të fortë të Napolit. Në mungesë të Osimhenit, sytë do të jenë kah mesfushori Kvicha Kvaratskhelia, i cili gjatë pushimit ndërkombëtar u martua në Gjeorgji. Trajneri Garcia e ka parasysh gjithë situatën dhe po shpreson që ekipi i tij të reflektojë përkundër mungesës së Osimhenit.

“Kam nevojë për të gjithë futbollistët që të jenë gati për të luajtur dhe për ta zëvendësuar Osimhenin, i cili është një humbje e madhe për ekipin. Ne duhet të bëjmë zgjidhje dhe të shpresojmë në rezultate pozitive”, ka pranuar Garcia.

Aktualisht, kampioni në fuqi zë vendin e pestë në Serie A me 14 pikë të mbledhura. Në krye të tabelës është Milani me 21 pikë, i ndjekur nga Interi (19) dhe Juventusi e Fiorentina që kanë tubuar nga 17 pikë pas 8 xhirove të luajtura.

Related Articles